Kamberi: Besimi te shumica e re parlamentare është i kufizuar për shkak të retorikës ndaj Kosovës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur mendimin se, ndonëse klima politike në Kuvendin e Serbisë ka ndryshuar, besimi te shumica e re parlamentare mbetet i kufizuar për shkak të retorikës së pandryshuar ndaj Kosovës.

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Kamberi ka njoftuar se së shpejti do të publikohen të gjitha marrëveshjet që Serbia ka lidhur me Kosovën, duke hapur kështu një diskutim mbi qëllimin e këtij veprimi. “Nuk mund të kemi një besim të plotë në një shumicë të re, e cila, sa i përket Kosovës, nuk e ka ndërruar retorikën.

Do të shohim a është një retorikë e momentit apo është një drejtim strategjik politik i tyre”, ka thënë Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se do të shihet nëse publikimi i marrëveshjeve ka për qëllim diskreditimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, apo ndonjë tjetër strategji. “A është një strategji e diskreditimit të Vuçiqit edhe më tej apo tentohet që ato marrëveshje në Parlament të sillen dhe të anulohen, mbetet të shohim”, shtoi ai.

Kamberi theksoi se për shqiptarët e Luginës së Preshevës, është thelbësore gatishmëria e pushtetit të ri për të respektuar kërkesat politike të përfshira në dokumentin shtatëpikësh, si dhe marrëveshjet e tjera me Serbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *