BDI ka shprehur reagim ndaj kumtesës së VLEN-it, e cila u përgjigj ndaj letrës së hapur të Ali Ahmetit drejtuar ministrit Jeton Shasivari.
Sipas BDI-së, kumtesa e VLEN-it nuk ofron asnjë përgjigje ndaj argumenteve juridike dhe fakteve të paraqitura nga kryetari Ali Ahmeti. “Asnjë kundërshtim konkret, asnjë dispozitë ligjore dhe asnjë argument që do të rrëzonte qëndrimet e tij.
Përkundrazi, kemi të bëjmë me një reagim politik pa përmbajtje juridike, që duket se është përgatitur në qendrën e OBRM-PDUKM-së.” Përfaqësuesit e VLEN-it, para se të vinin në pushtet, deklaronin se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe madje pretendonin se ata e kishin bërë të tillë.
Sot, për shkak të pafuqisë politike dhe mungesës së vullnetit për ta zbatuar ligjin, kanë përfunduar duke mbajtur qëndrime që përputhen me narrativat e kundërshtarëve më të mëdhenj të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, theksojnë nga BDI.
Sipas tyre, është gjithashtu domethënëse që VLEN nuk përmend asnjë fjalë për konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat janë në përputhje me argumentet e Ali Ahmetit. “Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe konsistent; ai duhet të zbatohet në të gjitha fushat që i mbulon, përfshirë provimet profesionale shtetërore.
Prandaj, deklaratat e Ali Ahmetit përputhen me përmbajtjen e ligjit dhe gjendjen juridike ekzistuese, ndërsa qëndrimet e VLEN-it janë kontradiktore: dje shqipja ishte zyrtare, sot, kur duhet të dëshmojnë përgjegjësi dhe ta zbatojnë ligjin, përpiqen ta relativizojnë statusin e saj,” përfundojnë nga BDI.