Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, sot iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet ndihma ligjore nga shteti për çiftet e reja bashkëshortore gjatë blerjes së banesave, përfshirë shërbimet komunale dhe përcaktimin e çmimit mesatar.
Ai njoftoi se janë duke u përgatitur dy ligje të veçanta që do të kalojnë në Kuvend. “Me shumë gjasë ne do të shkojmë me dy ligje të posaçme në Kuvend, të cilat tashmë janë duke u përgatitur.
Ministria e Transportit dhe Kabineti im janë duke i punuar ligjet.
Po flas për ligjin e parë, me të cilin çiftet bashkëshortore deri në moshën 35 vjeç do të fitojnë të drejtën për të marrë një hapësirë banimi me çmim 20% më të ulët se ai mesatar i tregut në atë komunë kadastrale vitin e kaluar.
Këtë mëngjes kam biseduar edhe me drejtorin e Kadastrës, ata janë duke përgatitur një analizë të këtij lloji, ndërsa analiza për tremujorin e tretë tashmë ka përfunduar.
E kam ngarkuar që gjatë ditës të më informojë për gjendjen gjatë tre tremujorëve të parë të vitit.
Pres që këtë analizë ta marr shumë shpejt, brenda ditës së sotme, dhe më pas do të kemi mundësi ta publikojmë edhe zyrtarisht gjendjen në komunat kadastrale ku janë shitur banesa në objekte të reja banimi.
Nga kjo, qytetarët që i plotësojnë kushtet sipas kritereve do të mund të bëjnë llogaritjet dhe planet e tyre për të ardhmen.
Pra, bëhet fjalë për një ligj të posaçëm, i cili së shpejti do të paraqitet para deputetëve.
Gjithashtu, ligji i dytë i posaçëm është ai përmes të cilit komunat nuk do të marrin taksa komunale për ndërtimin e shtëpive nga çiftet bashkëshortore që i përkasin këtij profili.