Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se gjatë periudhës janar-tetor 2026, në Kosovë janë vrarë tetë gra, ndërsa janë evidentuar gjithsej 2 mijë e 303 raste të dhunës në familje, me 2 mijë e 361 viktima, prej të cilave 1 mijë e 797 gra dhe vajza.
Këto të dhëna Gërvalla i ka bërë publike të martën mbrëma, gjatë ceremonisë hapëse të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Në fjalimin e saj, ajo është ndalur te vrasja e Arlinda Zekajt, duke theksuar se rasti i saj meriton një përgjigje të plotë dhe se çdo vendim dhe mosveprim që ka ndikuar në mbrojtjen e saj duhet të shqyrtohet. “Rasti i znj.
Arlinda Zekajt na përball me këto pyetje.
Si Ministre e Drejtësisë, e konsideroj detyrim që ato të marrin përgjigje të plota.
Duhet të shqyrtohet çdo vendim dhe çdo mosveprim që mund të ketë ndikuar në mbrojtjen e saj”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se shqyrtimi i këtij rasti kërkon seriozitet dhe paanshmëri, duke pranuar dështimet eventuale institucionale. “Familja e saj meriton përgjigje, djali i saj meriton përgjigje.
Gratë që sot jetojnë në rrezik kanë nevojë që nga këto përgjigje të dalin ndryshimet e nevojshme”, ka shtuar ajo.
Sipas Gërvallës, sfida kryesore për institucionet nuk përfundon me raportimin e dhunës, por vazhdon me mënyrën se si ato reagojnë dhe sa arrijnë të mbrojnë viktimat.
Një grua që vendos të raportojë dhunën shpesh ka kaluar një periudhë të gjatë në frikë dhe pasiguri, duke menduar për fëmijët dhe të ardhmen e saj.
Prandaj, ajo ka theksuar se thirrja për raportimin e dhunës duhet të shoqërohet me përgjegjësi institucionale dhe garanci për trajtimin serioz të çdo kërkese për ndihmë. “Kur i themi ‘Raporto dhunën’, duhet të kuptojmë peshën e këtyre fjalëve.
Po i kërkojmë thjesht të na besojë.
T’i besojë Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të viktimave, prokurorisë, gjykatës dhe të gjitha instancave tjera.
T’i besojë shtetit se do ta mbrojë.
Dhe këtë besim, zonja dhe zotërinj, duhet ta meritojmë”, ka deklaruar ajo.
Gërvalla ka theksuar se institucionet duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, pasi informacioni që posedon një institucion mund të jetë vendimtar për veprimin e një tjetër. “Një grua që është duke u përpjekur të dalë nga dhuna nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve tona.
Këtë detyrë e kemi ne, na takon neve”, ka thënë ajo.
Ministrja ka paralajmëruar se vonesat në rastet me rrezik të lartë mund të kenë pasoja të rënda, prandaj vlerësimi i rrezikut dhe zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jetë pjesë e reagimit institucional të përditshëm.
Gërvalla ka përmendur edhe Strategjinë e re Kombëtare 2027-2031, e cila do të adresojë problemet konkrete në sistem, përfshirë vonesat në reagim dhe mungesën e shërbimeve.
Ajo ka theksuar se mbështetja për viktimat nuk duhet të përfundojë pas raportimit, pasi ato mund të kenë nevojë për strehim, ndihmë juridike dhe mbështetje psikologjike.
Në këtë kontekst, ka përmendur ndihmën juridike falas dhe kompensimin e viktimave, si dhe rëndësinë e trajtimit psikosocial të kryerësve të dhunës.
Ministrja ka bërë thirrje që lufta kundër dhunës ndaj grave të mos shihet si çështje vetëm e grave, por si përgjegjësi e gjithë shoqërisë, duke kërkuar përfshirjen e burrave. “Pa ju të nderuar vëllezër, pa ju të nderuar zotërinj, nuk do të mund ta fitojmë betejën kundër dhunës ndaj grave”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka përfunduar fjalimin e saj duke u drejtuar grave dhe vajzave që përballen me dhunë, duke theksuar se ato nuk duhet ta ndiejnë veten fajtore për atë që u ndodh. “Dhuna nuk është faji juaj, nuk është përgjegjësia juaj.
Kur kërkoni mbrojtje dhe jetë të sigurt, ju kërkoni vetëm atë që ju takon”, ka deklaruar ajo.
Në fund ka shprehur mirënjohje për profesionistët dhe organizatat që punojnë me viktimat e dhunës, duke theksuar se përvoja e tyre duhet të dëgjohet dhe mbështetet më shumë.