Shqipëria do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme të enjten.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se moti pritet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut do të fillojnë që në orët e para të 24-orëshit, duke u shtrirë në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët.
Në zonën e veriperëndimit, reshjet e shiut do të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, duke u shfaqur në formën e shtrëngatave dhe stuhi, të shoqëruara me shkarkesa elektrike, që do të fillojnë që në orët e para të mëngjesit dhe do të vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes.
Gjatë ditës, reshjet e shiut me intensitet të ulët deri mesatar do të jenë prezentë në pjesën më të madhe të vendit.
Në perëndim dhe jugperëndim, në orët e pasdites dhe kryesisht të mbrëmjes, priten reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, ndonjëherë do të ketë shtrëngata të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe rrebeshe afatshkurtra.
Në lartësinë mbi 1200 metra në veri-verilindje, priten reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut me shpejtësi deri në 8 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit mund të arrijë deri në 20 m/s.