Tre Arrestime në Aksionin e Prokurorisë Speciale për Krim të Organizuar në Kosovë

Tre persona janë arrestuar në një operacion të realizuar nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.

Gjatë këtij aksioni, i zhvilluar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, janë kontrolluar katër lokacione dhe janë sekuestruar 19 vetura, si dhe pasuri të tjera.

Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, aksioni është realizuar më 25 nëntor 2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.

Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera hetuese, Njësia Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të një grupi kriminal të organizuar, mashtrimit dhe shpëlarjes së parave.

Sipas hetimeve fillestare, tre të dyshuarit kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike, duke i bindur ata të investojnë në platforma të rreme investimi.

Në komunikatën e përbashkët thuhet se viktimat “i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre”.

Gjatë kontrolleve në katër lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar: 19 vetura; 1 motoçikletë; 6 telefona; 5 kompjuterë; 6 USB; 4 mijë e 95 euro para të gatshme; 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike; si dhe dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin.

Vlera e pasurisë së sekuestruar raportohet të jetë mbi një milion euro.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *