Njëri është në kërkim, ndërsa autoritetet serbe nuk bëjnë të ditur nëse kanë arritur ta lokalizojnë.
Tjetri është larguar ligjërisht nga Serbia dhe ka udhëtuar drejt Stambollit përmes Sarajevës, duke përdorur pasaportën serbe.
Zyrtarisht, nuk dihet se ku ndodhen aktualisht ish-partnerët e biznesit nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq.
Aludimet jozyrtare për largimin e tyre nga Serbia u shfaqën pas zgjedhjeve të tetorit në Serbi, ku Partia Përparimtare Serbe (SNS) e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq humbi pushtetin pas 14 vjetësh. “Largimi i Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit ngre pikëpyetje serioze për thellësinë e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe pushtetit politik, si dhe për rolin e individëve në institucionet shtetërore të Serbisë,” thotë Sasha Gjorgjeviq nga organizata joqeveritare Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar.
Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiqi ishte nën hetime për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Për këtë rast, por edhe për vepra të tjera penale, Prishtina kishte lëshuar disa fletarrestime ndaj tij.
Beogradi gjithashtu lëshoi një fletarrestim pasi ai nuk u paraqit në polici më 15 nëntor, pavarësisht detyrimit ligjor.
Ndërkohë, ndaj Vesellinoviqit nuk është zhvilluar asnjë procedurë, edhe pse ai, me ndihmën e shtetit, zhvillonte biznese milionëshe, nga të cilat Radoiçiqi u tërhoq pas ngjarjeve në Banjskë.
Të dy ata janë në “listën e zezë” të Uashingtonit prej gati pesë vjetësh, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion. “Sa i përket Vesellinoviqit, institucionet përgjegjëse duhet t’i verifikojnë akuzat serioze dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për nisjen e një hetimi,” thekson Gjorgjeviq.
Nuk dihet se ku ka udhëtuar Vesellinoviqi gjatë viteve të fundit, por Radio Evropa e Lirë (REL) ka zbuluar se ai ka qenë të paktën një herë në Rusi.
Pamjet e publikuara në vitin 2023 e tregojnë atë duke gjuajtur në Kamçatkë.
Ai mori pjesë në një ekspeditë gjuetie të organizuar për klientë të pasur nga gjahtari dhe blogeri rus Dmitry Panov, i cili është kritikuar në Rusi për promovimin e gjuetisë së specieve të mbrojtura.
Akuzat për mënyrën e gjuetisë e shoqërojnë edhe Vesellinoviqin, i cili në vitin 2024 priti në Serbi gjahtarin rus.
Burime të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë kanë konfirmuar për REL-in se më 11 nëntor ai ka udhëtuar drejt Turqisë përmes këtij shteti.
Ai është larguar nga Aeroporti i Sarajevës në orët e hershme të mëngjesit, duke përdorur pasaportën serbe.
Sipas burimeve të REL-it, me Vesellinoviqin ishte edhe vëllai i tij, Zharko, i cili po ashtu është nën sanksionet amerikane.
Ata janë nisur nga Sarajeva drejt Stambollit me një fluturim të rregullt të udhëtarëve.
Nuk dihet arsyeja e largimit të tyre nga Serbia, as nëse Turqia ishte destinacioni i tyre përfundimtar.
Po ashtu, nuk dihet nëse e kanë vazhduar udhëtimin drejt një destinacioni tjetër, kur në opinionin publik po qarkullonin aludime se Millan Radoiçiqi kishte ikur në Rusi.
Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
REL-i ka tentuar të kontaktojë Vesellinoviqët përmes kompanisë së ndërtimit ‘Inkop’, pronarë të së cilës janë ata, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Sipas informacioneve, ndaj Zvonko Veselinoviqit aktualisht nuk po zhvillohet asnjë procedurë penale në Serbi, prandaj ai ka mundur të largohet lirisht nga vendi.
Gjatë viteve të fundit, ai është gjykuar dy herë për keqpërdorime dhe shpërdorim të pozitës zyrtare, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm. “Për këtë arsye, nuk mund të themi se ai i është shmangur ndjekjes penale për ndonjë vepër konkrete.
Megjithatë, fakti që është larguar menjëherë pas ndryshimit të rrethanave politike ngre pikëpyetjen nëse pozita e tij në Serbi varej nga marrëdhënia e afërt me pushtetin e mëparshëm,” vlerëson Gjorgjeviq. “Lidhjet jashtë vendit, paratë dhe njohjet mund ta vështirësojnë kërkimin,” shton ai.
Sanksionet amerikane dhe britanike mund t’ia kenë vështirësuar Vesellinoviqit udhëtimet drejt vendeve perëndimore pas vitit 2021.
Nuk dihet se ku ka udhëtuar, por REL-i ka konstatuar se ai ka shkuar të paktën një herë në Rusi.
Mikpritësi i tij ishte gjahtari dhe blogeri Dmitry Panov, i cili organizon ekspedita gjuetie nëpër Rusi për klientë të pasur dhe realizon emisione për kanalin e tij në YouTube.
Panovi dhe përfaqësuesit e tij nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për aktivitetet e tyre dhe lidhjet me Zvonko Vesellinoviqin.