Mickoski Pret Njohjen e Përparimit të Maqedonisë së Veriut nga BE dhe Heqjen e Roamingut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, shpreson që Komisioni Evropian do ta njohë përparimin e vendit në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke siguruar gjithashtu edhe 75 milionë euro shtesë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ai paralajmëroi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësinë të përdorin shërbimet e telekomunikacionit në vendet e Bashkimit Evropian pa kosto shtesë roamingu shumë shpejt.

Në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Mickoski nënvizoi se Qeveria vazhdimisht përmbush detyrimet reformuese, duke theksuar se çështjet dypalëshe nuk janë pjesë e Agjendës së Reformave. “Ne nuk përmbushim çështje dypalëshe, por gjithçka që lidhet me sistemin e bazuar në merita e përmbushim.

Sot pres që e gjithë kjo të njihet nga Komisioni Evropian”, deklaroi ai. 75 milionë eurot shtesë paraqesin një rritje prej 10 për qind të shumës prej 750 milionë eurosh, e cila tashmë është paraparë për vendin në kuadër të Planit të Rritjes.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut do të duhet të përmbushë edhe detyrime shtesë.

Në lidhje me heqjen e roamingut, kryeministri theksoi se Maqedonia është vendi i parë në rajon që ka përfunduar procedurat teknike dhe formale për t’iu bashkuar modelit evropian “Roam Like at Home”.

Mickoski qëndron në mendimin se nuk do të ketë ndryshim në pozicionin e Qeverisë për Ndryshimet Kushtetuese, duke theksuar se prioritet duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për Planin e Veprimit për Pakicat, për të cilin Qeveria tashmë ka dorëzuar një propozim.

Ai gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet ta nënvlerësojë potencialin e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit prej shumë kohësh presin anëtarësimin. “Ballkani Perëndimor është porta e Evropës dhe është pjesë e Evropës.

Qytetarët tanë janë vërtet të zhgënjyer sepse kanë pritur tepër gjatë në oborrin e saj.

Më në fund, dëshirojmë ta meritojmë vendin tonë në tryezën e përbashkët, bazuar në parimin e meritave”, theksoi Mickoski.

Fokus i samitit të sotëm në Bruksel është përshpejtimi i procesit të zgjerimit, zbatimi i reformave, integrimi gradual i rajonit në tregun e përbashkët evropian, si dhe forcimi i bashkëpunimit politik dhe të sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *