Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i angazhuar për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, por kërkon që vendet e rajonit të zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe, të harmonizohen me politikën e jashtme evropiane dhe të forcojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Këto mesazhe thelbësore dolën nga Deklarata e miratuar në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt të mërkurën në Bruksel, dhe janë veçanërisht të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, e cila vazhdon të përballet me sfida në procesin e saj të integrimit evropian për shkak të çështjeve të hapura me Bullgarinë. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin tonë.
Zgjerimi është një mundësi reale që duhet të shfrytëzohet,” theksohet në Deklaratë, ku liderët evropianë konfirmojnë angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë për perspektivën evropiane të rajonit.
Megjithatë, ndonëse Brukseli përsërit se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një vend në BE, Deklarata nuk ofron afate të qarta për anëtarësimin e tyre, as zgjidhje të reja për kapërcimin e pengesave në proceset e negociatave.
Një nga mesazhet më të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut është thirrja për përpjekje shtesë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe rajonale.
Deklarata thekson se janë të nevojshme veprime vendimtare për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për çështjet e hapura midis vendeve.
Ky formulim ka një kuptim të veçantë për Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh mosmarrëveshjen me Bullgarinë dhe ngërçin në procesin e integrimit evropian që lidhet me zbatimin e kornizës negociuese të marrëveshjes.