Analisti i çështjeve politike, Ibrahim Shala, ka theksuar se çështja e Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të trajtohet nga partitë politike pa ndarje të brendshme, duke e lidhur atë me sovranitetin e shtetit dhe mbrojtjen e karakterit çlirimtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në emisionin “Five” në TV Dukagjini, Shala ka shpjeguar se pas shqiptimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe mosargumentimin e disa pretendimeve kryesore të aktakuzës, Gjykata Speciale ka hasur në goditje të rëndësishme në aspektin e arsyetimit mbi të cilin ishte themeluar.
Ai thekson se zhvillimet në këtë proces kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë mes partive politike, pasi kjo çështje nuk duhet të bëhet pjesë e konflikteve politike të zakonshme. “Raporti i shtetit tonë me DHSK, sidomos pas shqiptimit të dënimit dhe pranimit nga gjykata se nuk është arritur të argumentohet trafikimi i organeve, ashtu si dhe krimi kundër njerëzimit, gjykata ka marrë goditje të fuqishme dhe nuk arsyeton më kërkesën për tu themeluar”, shprehet Shala.
Ai gjithashtu e kritikon strukturën juridike të Dhomave të Specializuara, duke e cilësuar atë si një sistem paralel mbi sistemin juridik të Kosovës, që cenon sovranitetin e vendit. “Dhe është krijuar një super strukturë juridike, një sistem paralel, mbi këtë sistemin juridik që e kemi. Është një sui generis, kjo ta cenon sovranitetin e vendit.
Prandaj, partitë tona politike këtë çështje duhet ta shohin përtej luftës politike.
Duhet ta lidhin me sovranitetin e shtetit”, ka thënë ai.
Shala gjithashtu ka theksuar se mbrojtja e karakterit të luftës së UÇK-së është një interes shtetëror, historik, politik dhe kombëtar, duke kërkuar që partitë politike të kenë një qëndrim të përbashkët për këtë çështje. “Pastaj duhet ta lidhin me vlerësimin e luftës së drejtë të UÇK, sepse është interes shtetëror, historik e politik e kombëtar që të mbrohet pastërtia e luftës.
Lufta jonë ka qenë çlirimtare.
Karakteri i luftës çlirimtare duhet të mbrohet”, është shprehur Shala.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur PDK-ja dhe LVV po planifikojnë një iniciativë të re ligjore për Dhomat e Specializuara, për të cilën ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se synohet të miratohet në dy leximet gjatë muajit dhjetor.
Ndërkohë, Shala ka theksuar se kjo çështje duhet të shërbejë si një pikë bashkimi për partitë politike, pa marrë parasysh dallimet e tyre. “Ndasitë politike janë probleme të brendshme.
Dhe kemi kohë për t’i trajtuar, për atë është parlamenti.
Këtë rast e kemi sfidë me BE-në.
Ku është në pyetje karakteri çlirimtar i luftës, pafajësia e drejtuesve të luftës dhe njëherazi, kthimi në vend i sovranitetit të vendit”, ka theksuar Shala.