Policia ka ndaluar një person të dyshuar lidhur me vrasjen e një 38-vjeçari, e cila ndodhi pranë Liqenit të Smillkovës, afër Shkupit, gjatë fundjavës së kaluar.
Sipas informacioneve që janë bërë publike, viktima ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes së rëndë nga një plagë e shkaktuar me armë zjarri në këmbë.
Të dhënat e mbledhura deri tani nga hetimet, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë dhe sistemi “Qyteti i sigurt”, tregojnë se 38-vjeçari ishte drejtuar drejt vendit të ngjarjes pak para orës 05:00 të mëngjesit të së shtunës.
Trupi i tij është zbuluar në orën 06:15 nga një kalimtar i rastësishëm.
Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, telefoni celular i viktimës është gjetur në automjetin e tij.
Sipas hetimeve, vdekja e tij ka ndodhur si pasojë e gjakderdhjes së madhe nga dëmtimi i një arterie në këmbë, gjë që e ka penguar atë të kërkojë ndihmë mjekësore.