Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, realizoi një vizitë në Strugë këtë të enjte, si pjesë e angazhimit të tij në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër.
Ai u prit nga kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, këshilltarë komunalë, përfaqësues të forcave politike dhe qytetarë, me të cilët diskutoi mbi zhvillimin ekonomik të qytetit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e rolit të shqiptarëve.
Begaj vlerësoi përpjekjet e drejtuesve vendorë për promovimin e Strugës si një destinacion turistik, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me bashkitë kufitare për realizimin e projekteve të përbashkëta që nxisin turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjatë vizitës së tij në Strugë, Presidenti Begaj vizitoi Urën e Drurit “Naser Hani” mbi lumin Drini i Zi, si dhe fshatin Livadhi, ku nderoi kujtimin e betejës së Gjergj Kastriotit dhe vizitoi muzeun që pasqyron trashëgiminë historike, etnografike dhe kulturore të kësaj zone.
Një ndalesë të veçantë ai bëri në shkollën fillore “Aki Dika”, e cila ka kontribuar për dekada me radhë në arsimimin e brezave në gjuhën shqipe.