Një grua 54-vjeçare nga Peja ka ndarë përvojën e saj të frikshme, duke thënë se jeton me frikën se mund të vritet nga ish-bashkëshorti i saj.
Ajo pretendon se ai e ka kërcënuar vazhdimisht me vdekje, madje duke i thënë se do t’ia bëjë si Naim Murseli, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.
Në një intervistë për televizionin ATV, ajo ka treguar se deri më tani është paraqitur gjashtë herë në Policinë e Kosovës për të raportuar kërcënimet, por akoma nuk ndihet e sigurt për jetën e saj. “Që dy vjet jam e ndarë prej tij.
Ai më ka thënë se ka me më mbytë, si Naim Murseli që ia ka mbytë gruan e vet.
Jam paraqitur këtu në polici disa herë, sepse më ka thënë se kam me pagu njerëz edhe kam me të mbytë”, ka rrëfyer ajo. 54-vjeçarja ka pretenduar se gjatë martesës ka përjetuar dhunë fizike, për të cilën thotë se ka dëshmi. “Për 14 vjet sa kam qenë e martuar me të, kam përjetuar dhunë fizike.
Më ka bërë për spital, më ka rrahur, më ka sulmuar me thikë, më ka rrëzuar për tokë dhe më ka goditur me grushte”, ka deklaruar ajo.
Ajo shpreh frikën se kërcënimet mund të realizohen, duke theksuar se ish-bashkëshorti ka njerëz të tjerë që mund ta kryejnë vrasjen në vend të tij. “Unë nuk besoj që kam me jetu gjatë.
Ai vetë më ka thënë se nuk i ndot duart e veta, por ka kush i ndot duart për mua, ka kush të zhduk ty.
Ai ka para”, ka treguar ajo. 54-vjeçarja thotë se ish-bashkëshorti jeton jashtë vendit, por e ka kërcënuar se vrasja do të ndodhë në Kosovë.
Ajo kërkon që institucionet ta trajtojnë rastin me më shumë seriozitet. “Jam duke u tutur shumë.
Sa herë vij në Kosovë, vetëm shikoj se ku po kërcet.
Dua që kur të vij këtu të jem e mbrojtur, të dihet kur po vjen ai dhe të kem më shumë mbrojtje.
Por mua po më duket se nuk po më merr parasysh askush”, ka thënë ajo. 54-vjeçarja tregon se arsyeja e ndarjes ishte tradhtia dhe ka shtuar se as fëmijët e tyre nuk kanë komunikim me të atin.
Ajo shprehet se kërcënimet ndaj saj janë shoqëruar edhe me paralajmërime se ish-bashkëshorti do t’ia shfarosë të gjithë familjen.
Ajo bën thirrje për gratë që përjetojnë dhunë në familje të kërkojnë ndihmë dhe të mos presin gjatë për të raportuar rastet. “Ju kam dashur të jap një mesazh për gratë që kanë jetuar dhe që po jetojnë në këto rrethana, që të mos presin si unë që kam pritur 14 vjet.
Të largohen që në fillim, sepse një njeri si ai nuk ndryshon”, ka deklaruar ajo.
Sipas raportit policor, rasti është iniciuar në procedurë të rregullt, ndërsa Policia nuk ka dhënë detaje shtesë.
Ky rast rikthen në vëmendje vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila ishte vrarë më 25 tetor, pasi kishte raportuar ish-bashkëshortin për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Gruaja nga Peja shpreh frikën se mund të përfundojë me të njëjtin fat dhe kërkon ndërhyrje institucionale për të parandaluar pasoja të pakthyeshme.