Samiti i Ballkanit Perëndimor po zhvillohet sot në Tiranë, në Pallatin e Brigadave, me fokus në procesin e integrimit evropian, reformat dhe konvergjencën mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij në samit, kryeministri Edi Rama shprehu entuziazmin për fillimin e një procesi të ri të integrimit evropian, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të presin anëtarësimin e plotë të vendeve të tyre në BE për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Unioni. “Ne kemi qenë absolutisht entuziastë për nisjen e këtij procesi, për qasjen e re të integrimit, reformat dhe konvergjencën.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se i takon Ballkanit Perëndimor dhe BE-së të mos presë deri në anëtarësim.
Konvergjenca po rritet dhe ka ende shumë rrugë për të bërë.
Ne të gjithë kemi qenë avokatë të idesë se qytetarët nuk mund të presin që të përfitojnë dhe të bëhen pjesë e zinxhirëve të vlerës.
Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani nga të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian,” deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë vendet e rajonit, por njëkohësisht kërkon rezultate konkrete dhe përmbushjen e reformave.