Organizata Swisscontact ka festuar 25 vjetorin e veprimtarisë së saj në Kosovë, duke prezantuar 25 tregime që ilustrojnë rezultatet e bashkëpunimit me institucionet, bizneset dhe komunitetet në krijimin e vendeve të punës dhe avancimin e zhvillimit ekonomik në vend.
Ngjarja është mbajtur më 25 nëntor në Prishtinë, ku morën pjesë përfaqësues nga institucione, biznese, donatorë dhe komunitete me të cilat organizata ka bashkëpunuar gjatë këtyre 25 viteve.
Sipas njoftimit të Swisscontact, kur organizata filloi aktivitetin e saj në Kosovë, vendi sapo po rilindte nga lufta, dhe mundësitë për gratë dhe të rinjtë ishin tepër të kufizuara.
Që atëherë, Swisscontact, së bashku me partnerët e saj, ka mundësuar punësim të denjë për më shumë se 11 mijë gra dhe burra, duke gjeneruar mbi 75 milionë euro të ardhura shtesë për qytetarët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Drejtori i Swisscontact për Kosovën, Fisnik Reçica, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët lokalë për arritjen e ndryshimeve afatgjata. “Një bindje ka mbetur e pandryshuar: ndryshimi i qëndrueshëm ndërtohet me njerëzit dhe partnerët vendorë”, deklaroi Reçica.
Mattia Poretti, Shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës, nënvizoi rolin e Swisscontact në zhvillimin e arsimit dual sipas modelit zviceran dhe përvojën e gjatë të organizatës në lidhjen e individëve me bizneset.
Ndërkohë, Valentina Qarri nga Ambasada e Suedisë foli për një partneritet të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një qasje që kombinon ekspertizën ndërkombëtare me njohuritë lokale, për të krijuar ndryshime që zgjasin përtej projekteve të veçanta.
Franziska Koller, në emër të Bordit Ekzekutiv të Swisscontact, konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të organizatës në Kosovë, duke theksuar sfidat e së ardhmes si tranzicioni i gjelbër, digjitalizimi, mobiliteti dhe zhvillimi i aftësive të reja, si dhe çështjen nëse të rinjtë do të zgjedhin ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
Gjatë ngjarjes, u prezantua edhe ekspozita “25 vjet në 25 ndryshime”, e cila përmes 25 tregimeve pasqyronte ndryshimet në sektorët si bujqësia, turizmi, eksporti, aftësimi profesional dhe sipërmarrja në Kosovë.
Ekspozita përfshinte histori të fermerëve, prodhuesve të ushqimit, udhërrëfyesve turistikë, nxënësve të shkollave profesionale dhe themeluesve të kompanive të reja.
Richard Rose, drejtori rajonal i Swisscontact, e përshkroi këtë si një dëshmi të përkushtimit të anëtarëve aktualë dhe të mëparshëm të ekipit të organizatës në Kosovë.
Aktualisht, përmes projekteve si GROW, Matching Skills to Jobs, Swiss Entrepreneurship Program dhe WINGS, Swisscontact mbështet inovacionin në biznes, qasjen në tregje, sipërmarrjen dhe aftësimin profesional, me synimin për të krijuar sisteme më të forta dhe mundësi më gjithëpërfshirëse, veçanërisht për gratë.
Në rastin e shënimit të 25-vjetorit, Swisscontact shprehu falënderime për Zvicrën dhe Suedinë për besimin dhe partneritetin e tyre afatgjatë, si dhe për të gjithë partnerët në Kosovë që kanë kontribuar në këtë rrugëtim.