Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se Kushtetuta lejon arsim në gjuhën shqipe vetëm në nivelin fillor e të mesëm, por jo në atë universitar, paraqet një përpjekje të papranueshme për të vënë në dyshim një nga arritjet më të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sipas reagimit të Aleancës për Shqiptarët. “Kur deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, i kërkoi kryeministrit të tregojë se cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe, ai nuk dha përgjigje.” Kjo pyetje mbetet e hapur: Cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?
Fakti që Kushtetuta përcakton qartë të drejtën për arsimim në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm, nuk nënkupton ndalimin e saj në arsimin e lartë.
Për më tepër, pika 6.2 e Marrëveshjes së Ohrit parasheh shprehimisht financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhët që fliten nga të paktën 20 për qind e popullsisë.
Universitetet në gjuhën shqipe nuk janë fryt i bujarisë së ndonjë qeverie; ato janë rezultat i një rruge të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe gjaku të derdhur.
Për më shumë se dy dekada, këto universitete kanë nxjerrë mijëra kuadro që kontribuojnë në zhvillimin e këtij shteti.
Po i njëjti kryeministër, që vetëm pak javë më parë deklaronte se e drejta e arsimit të lartë në gjuhën amtare është e padiskutueshme, sot vë në dyshim bazën kushtetuese të kësaj të drejte.
Ndërkohë, studentëve shqiptarë vazhdon t’u mohohet mundësia e dhënies së plotë të provimit të jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë përfunduar studimet. Çfarë ka ndryshuar ndërkohë?
Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi politik i kryeministrit?
Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarim publik nga kryeministri, zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës, si dhe provimeve të tjera profesionale, në gjuhën shqipe.
Kjo çështje duhet të qëndrojë mbi interesat partiake dhe kalkulimet për pushtet.
Mbrojtja e arsimit në gjuhën shqipe është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë.