Nisma e Re Ligjore për Dhomat e Specializuara: PDK dhe Mbështetje nga Aleanca

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se drafti i nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara është gati dhe nënshkrimet e deputetëve janë mbledhur.

Qëllimi i kësaj partie është që projektligji të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shprehur pritshmëri që drafti i ri të jetë i zbatueshëm dhe të sigurojë dakordimin e të gjitha palëve.

Po ashtu, Aleanca ka konfirmuar mbështetje për nismën, duke kërkuar miratimin e saj para pushimeve.

Në një përgjigje me shkrim, PDK-ja njoftoi se nisma do të dorëzohet së shpejti në Kuvend, por pa specifikuar një datë të saktë. “Drafti i nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara është gati dhe nënshkrimet e deputetëve janë mbledhur.

Nisma do të dorëzohet së shpejti në Kuvend.

Synimi ynë është që projektligji të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.

Me këtë nismë kërkojmë garanci për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, për respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe për mbikëqyrje institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

E mirëpresim gatishmërinë e Bashkimit Evropian për konsultime.

Tashmë i kemi bërë ftesë zyrtare dhe publike për t’i nisur ato.

Jemi të gatshëm të ulemi menjëherë me përfaqësuesit e BE-së për të diskutuar çdo shqetësim konkret dhe çdo rekomandim juridik.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka filluar takimet me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përfaqësuesit e organizatave të dalura nga lufta e UÇK-së, akademikë dhe diplomatë të huaj.

Mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut i PDK-së”, thuhet në përgjigje.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar se pret që projektligji i ri të jetë i zbatueshëm dhe të adresojë padrejtësitë ndaj Kosovës që lidhen me krijimin e Dhomave të Specializuara.

Ajo theksoi se mbetet të shihet nëse PDK-ja ka trajtuar të gjitha çështjet që ishin kërkuar për tërheqjen e nismës paraprake. “Presim që të jetë një projektligj i cili jo vetëm që do të dakordohet me të gjitha palët, por mbi të gjitha do të jetë një projektligj i zbatueshëm dhe do të arrijë efektin e tij në adresimin e padrejtësisë që është bërë ndaj Kosovës me krijimin e Dhomave të Specializuara.

Unë besoj që përkundër qëllimeve të mira që ka pasur PDK-ja, nxitimi për miratimin e tij ka sjellë situatën në të cilën jemi tani”, tha Nagavci.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, konfirmoi se partia e tij do ta mbështesë projektligjin dhe kërkoi që nisma të procedohet sa më shpejt. “Ligjin kanë me bërë ekspertët.

Ne si parti i kemi vendosur që do ta votojmë projektligjin, pavarësisht versionit që do të vijë.

Ky duhet të miratohet sa më shpejt, dhe ne presim që ligji të vijë para pushimeve”, tha Berisha.

Në këtë kontekst, nisma e re ligjore vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është në fazën e apelit.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, ndërsa ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *