Shkupi do të jetë nën një atmosferë festive për Vitin e Ri nga data 10 deri më 15 dhjetor.
Festa qendrore për ndërrimin e viteve do të mbahet në sheshin “Maqedonia”, ka njoftuar kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Për dekorimin e qytetit është zgjedhur një kompani, dhe Gjorgjievski, në një intervistë për televizionin “Sitel”, ka theksuar se procedura ka qenë transparente dhe se të gjitha detajet janë publike.
Mbrëmja e Vitit të Ri do të ketë një program muzikor, ku do të performojnë artistë vendorë.
Edhe pse emrat e tyre ende nuk janë bërë të ditur, kryetari i Shkupit ka paralajmëruar se në festë do të marrin pjesë muzikantë maqedonas.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë nuk do të ketë fishekzjarrë.
Sipas tenderit për dekorimin e qytetit, në sheshin qendror do të vendoset një bredh i Vitit të Ri me lartësi 13 metra, së bashku me disa figura ndriçuese në forma të ndryshme.
Dekorimi pritet të përfundojë deri më 15 dhjetor, dhe vlera e parashikuar e projektit është rreth 70 mijë euro.
Përveç bredhit, është paraparë të vendoset edhe një figurë ndriçuese e drerit, me lartësi rreth katër metra, e cila do të ketë kallam dekorativ të sheqerit në brirë dhe një kombinim të ndriçimit LED të bardhë të ngrohtë dhe të ftohtë, me efekte dinamike.
Në shesh do të vendoset gjithashtu një dhuratë gjigante e ndriçuar, mbi gjashtë metra e lartë, dy porta 2D dhe një sajë 3D me dhurata, rreth dy metra e lartë dhe katër metra e gjerë, ku vizitorët do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të fotografohen.