Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.N., M.A. dhe B.A., të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim, për shkak të dyshimeve të forta se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas një njoftimi për media, gjithashtu secili prej tyre akuzohet veçmas për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 i KPRK-së. “Sipas aktakuzës, të pandehurit F.N., M.A., dhe B.A., nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi deri më 16 shtator 2025, duke vepruar në bashkëkryerje dhe si anëtarë të grupit, në një zonë malore në fshatin Maqitevë, Komuna e Suharekës, kanë kultivuar bimë të kanabisit në dy parcela, duke instaluar sistem të ujitjes me rezervuar uji dhe gypa për ujitje me sistemin pikë-pikë.
Aktiviteti i tyre është zbuluar më 16 shtator 2025, në një shtallë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, të cilat ndodheshin në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje dhe shitje në treg.
Sipas raportit të ekspertimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, mostrat e ekzaminuara kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive Tetrahidorkanabinol (THC)”, thuhet në njoftim.
Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, tre të pandehurit akuzohen veçmas për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike si dhe fishekë.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.