Sot, më 17 nëntor 2026, Gjykata Speciale shpalli Aktgjykimin për Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.
Kjo çështje ka të bëjë me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik, në lidhje me një gjykim tjetër në këtë Gjykatë (Thaçi dhe të tjerët, i njohur si Çështja 6), ku z.
Thaçi ishte i pandehur dhe përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas njoftimit, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes konstatoi se Thaçi kishte zbuluar informacion konfidencial për disa dëshmitarë në gjykimin e tij për krime lufte, duke i dhënë udhëzime se si duhej të dëshmonin.
Të akuzuarit e tjerë ishin personat që e vizituan në objektin e paraburgimit.
Gjykatësi shpalli Hashim Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke e dënuar me 17 muaj burgim.
Bashkim Smakaj u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës, për të cilat u dënua me 12 muaj burgim, por, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, ai u lirua.
Fadil Fazliu u shpall gjithashtu fajtor për tentativë për pengim dhe u dënua me 12 muaj burgim, por gjithashtu u lirua pas llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.
Hajredin Kuçi u shpall fajtor për mosbindje ndaj gjykatës dhe u dënua me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për akuzat kundër tij.
Gjykatësi konstatoi se gjatë vizitës së Fadil Fazliut në objektin e paraburgimit më 2 korrik 2023, Thaçi i dha udhëzime për një dëshmitar, duke i kërkuar që të mohonte nëse do të pyetej nga Prokuroria.
Po ashtu, Thaçi dhe Fazliu u shpallën fajtorë për tentativë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Në vazhdim, gjatë vizitave të Bashkim Smakajt, Thaçi komunikoi udhëzime për dëshmitarin e Prokurorisë, Bislim Zyrapi, duke i dhënë edhe udhëzime me shkrim që u sekuestruan në banesën e Smakajt.
Të dy, Thaçi dhe Smakaj, u shpallën fajtorë për tentativë për pengim të personave zyrtarë.
Përveç kësaj, Thaçi u shpall fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës duke zbuluar informacion konfidencial për dëshmitarët dhe duke mos iu bindur urdhrit të gjykatës që ndalonte kontaktin me dëshmitarë.
Megjithatë, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për akuzat ndaj tij, pasi provat nuk vërtetuan se ai kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të komunikuar udhëzimet e Thaçit.
Gjykatësi konstatoi gjithashtu se Hajredin Kuçi kishte dërguar një mesazh dëshmitarit Rrustem Mustafa, duke shkelur urdhrin e Gjykatës për ndalimin e kontakteve.
Megjithatë, nuk kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin se Kuçi kishte kontaktuar dëshmitarët e tjerë.