Ambasadori Wendt prezanton traditën ‘Payday Activities’ në Tiranë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar aktivitetin “Payday Activities” në Ambasadën amerikane në Tiranë, një traditë që ka origjinën në ushtrinë amerikane.

Përmes një postimi në platformën X, Ambasada e SHBA-së ka ndarë detaje rreth këtij aktiviteti, duke e përshkruar atë si një traditë krenare të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, e cila ka si qëllim të forcojë frymën e bashkëpunimit dhe unitetit mes anëtarëve të ekipit.

Gjatë takimit janë mirëpritur kolegët e rinj, janë nderuar ata që po përfundojnë angazhimin e tyre, dhe janë vlerësuar punonjësit që kanë dhënë më shumë sesa u kërkohej në kuadër të detyrave të tyre.

Ambasada amerikane e thekson rëndësinë e traditave që bashkojnë njerëzit, duke iu referuar historisë së Shteteve të Bashkuara, nga Lufta për Pavarësi deri në ditët e sotme. “Prej Luftës Amerikane për Pavarësi e deri më sot, traditat më të mira janë ato që i bashkojnë njerëzit.

Ambasadori Wendt prezantoi së fundmi në Ambasadë ‘Payday Activities’, një traditë krenare e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në postim.

Më tej, ambasada thekson se pjesëtarët e ekipit punojnë çdo ditë së bashku për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve. “Çdo ditë, ky grup i jashtëzakonshëm punon së bashku për t’i bërë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë më të forta, më të begata dhe më të sigurta”, thekson njoftimi i Ambasadës amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *