Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Gëzim Berishën, drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.
Kjo masë ka një kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata njoftoi se ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës. “Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.B. si të pabazuar dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Përmes vendimit, Stacioni Policor në Vushtrri është obliguar të zbatojë dhe të verifikojë respektimin e kësaj mase nga i pandehuri.
Nëse kjo masë nuk respektohet, Policia e ka detyrë ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës.
Vendimi është marrë duke marrë parasysh faktin se, sipas Gjykatës, i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, dhe arresti shtëpiak është caktuar në pronën ku viktima nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.
Rasti është bërë publik më 31 tetor, kur u raportua për arrestimin e Gëzim Berishës.
Bashkëshortja e tij kishte raportuar në Polici se kishte përjetuar vazhdimisht dhunë psikike nga ai, me të cilin nuk bashkëjetonte prej disa muajsh.
Sipas raportimeve të mediave, Berisha dyshohet se kishte kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhte njëjtë si Arlinda Zekajt, e cila ishte vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.