Avokatja Fehmije Bytyqi, e cila është autorizuar nga familja Dervishi për të përfaqësuar atë në rastin e vdekjes së një shtetasi amerikan në Gjakovë, ka ngritur një sërë shqetësimesh mbi mënyrën se si organet e drejtësisë në Kosovë e kanë trajtuar këtë rast.
Në një konferencë për media, Bytyqi theksoi se që nga momenti i marrjes së autorizimit nga familja, ka ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar qasje në dokumentet e lëndës, por prokuroria nuk i ka mundësuar qasje të plotë në dokumentacion.
Ajo ka kërkuar vazhdimisht informacion nga prokurorja që e ka trashëguar rastin, si dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë në Gjakovë, lidhur me hetimet për vdekjen e ndodhur në vitin 2022.
Sipas avokates, një pjesë e materialit të rastit ndodhet në Zvicër dhe, siç është njoftuar nga prokuroria, autoritetet zvicerane kanë njoftuar se përgjigjja e tyre pritet brenda një viti, ndërsa hetimi është pezulluar.
Bytyqi shprehu se dyshimet e familjes për rrethanat e vdekjes janë ngritur që kur vëllai i viktimës, Haki Dervishi, ka shkuar në Kosovë pas lajmit për vdekjen e tij.
Një nga elementet që ka shtuar dyshimet është gjendja e biçikletës, me të cilën viktima dyshohej se kishte qenë në momentin e ngjarjes. “Çka është tejet shqetësuese, biçikleta në mënyrë absolute nuk është e dëmtuar, nuk është e prekur”, tha Bytyqi, duke iu referuar dokumenteve dhe fotografive që, sipas saj, ka shqyrtuar gjatë përfaqësimit të familjes.
Ajo ngriti edhe një çështje tjetër shqetësuese: zhdukjen e mëvonshme të biçikletës.
Sipas saj, ndonëse biçikleta ishte gjetur në vendin e ngjarjes, ajo nuk ishte sekuestruar nga policia, me arsyetimin se nuk kishte qenë e dëmtuar dhe se sekuestrimi nuk ishte i nevojshëm. “Është tejet mister, ajo biçikletë me të cilën Haki Dervishi e ka ngritur shqetësimin për vdekjen e vëllait, pas një kohe është vjedhur, domethënë është eliminuar, është asgjësuar, nëse mund të thuhet”, u shpreh avokatja.
Bytyqi shtoi se gjatë hetimeve, çështja e biçikletës nuk ishte trajtuar siç duhej, pavarësisht rëndësisë që familja i kishte kushtuar këtij elementi.
Ajo theksoi se edhe pas angazhimit të saj dhe kërkesave zyrtare drejtuar institucioneve, prokurorisë i ishin dashur gati tre vjet për të kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me fatin e biçikletës. “Unë kam insistuar dhe e kam ngritur zyrtarisht çështjen e biçikletës dhe imagjinoni, afër tre vjet i ka rënë prokurorisë për të kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me atë biçikletë”, përfundoi Bytyqi.