Kosova dhe Franca kanë forcuar bashkëpunimin e tyre gjatë vitit 2026, përmes kontakteve të shpeshta në nivele të larta politike dhe diplomatike, si dhe nënshkrimit të pesë marrëveshjeve.
Por, a po e çojnë këto marrëdhënie në një nivel tjetër dhe si mund të përfitojë Kosova nga ky afrim?
Franca, një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, ka një ndikim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe në organizatat shumëpalëshe.
Ndikimi i saj shtrihet edhe në vende të Afrikës dhe rajone të tjera ku Kosova ka qasje të kufizuar diplomatike.
Në këtë kontekst, lind pyetja nëse intensifikimi i marrëdhënieve mund të përkthehet në mbështetje më të madhe për objektivat ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, avancimin drejt NATO-s dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim ishte takimi bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, që u zhvillua më 11 nëntor në Paris.