Bashkimi Evropian Kërkon Përshtatje të Reformave në Administratën Publike të Kosovës

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të përshpejtojë zbatimin e reformave në administratën publike dhe menaxhimin e financave, duke u fokusuar te rekrutimi sipas meritës, zvogëlimi i numrit të ushtruesve të detyrës dhe zbatimi i plotë i reformës së pagave.

Këto çështje u diskutuan në takimin e 14-të të Grupit të Posaçëm BE-Kosovë për Reformën e Administratës Publike, që u zhvillua të martën në Prishtinë.

Takimi u drejtua nga ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, dhe shefi i Njësisë së Komisionit Evropian për Kosovën, Jiří Plecitý.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të cilët shqyrtuan progresin në ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe të orientuar drejt ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët dhe bizneset.

Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, si dhe angazhimeve të vendit në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së dhe Agjendës së Reformave, përfaqësuesit evropianë kërkuan përshpejtimin e zbatimit të strategjive për Reformën e Administratës Publike (RAP) dhe Menaxhimin e Financave Publike (MFP).

BE-ja ofroi gjithashtu ekspertizë për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të planeve të reformave, theksuar rëndësinë e konsultimeve të rregullta me publikun dhe shoqërinë civile gjatë procesit të hartimit dhe zbatimit të tyre.

Një aspekt i rëndësishëm i diskutimeve ishte zbatimi i kornizës së re ligjore për shërbimin publik në Kosovë.

Përfaqësuesit e BE-së theksuan nevojën për shfrytëzimin e plotë të sistemit të centralizuar të rekrutimit për të mbushur vendet e lira të punës në administratën publike, duke zvogëluar numrin e ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese dhe përfunduar hapat e nevojshëm për zbatimin e plotë të reformës së pagave.

Sipas BE-së, prezantimi i sistemit të centralizuar të rekrutimit në fillim të këtij viti është një hap i rëndësishëm drejt një shërbimi publik profesional dhe të bazuar në meritë, por sistemi ende ka nevojë për funksionim të plotë.

Takimi trajtoi gjithashtu Gjykatën Administrative, e cila është themeluar së fundmi në Prishtinë, përgjegjëse për vendimmarrjen në shkallë të parë në kontestet administrative.

BE-ja vlerësoi se funksionalizimi i kësaj gjykate me personel të mjaftueshëm mund të ndihmojë në reduktimin e vonesave në trajtimin e lëndëve administrative.

Bashkimi Evropian gjithashtu mirëpriti progresin e Kosovës në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë së qeverisjes elektronike, që synojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Po ashtu, u vlerësua pozitivisht progresi në programin për zvogëlimin e barrës administrative.

Ministri Jagxhiu, gjatë takimit, prezantoi të arriturat në zbatimin e reformave, duke përfshirë rekrutimin e centralizuar, racionalizimin e agjencive, zvogëlimin e barrës administrative dhe zgjerimin e shërbimeve publike digjitale.

Ai theksoi se krijimi i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike ofron një kornizë më të fortë institucionale për koordinimin e këtyre reformave.

Jagxhiu përmendi gjithashtu lansimin e Platformës Kombëtare të Identifikimit Elektronik dhe Portofolit Digjital, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme për forcimin e infrastrukturës digjitale dhe ofrimin e shërbimeve publike më të sigurta dhe më të qasshme.

Gjatë takimit, ministri Jagxhiu prezantoi edhe Raportin vjetor të Kosovës për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, i cili paraqet gjendjen në shërbimin publik.

Ai njoftoi se përfaqësimi i barabartë i grave në administratën publike është afërsisht arritur, por mbetet një hendek i konsiderueshëm në barazinë gjinore në pozitat drejtuese.

Ministri u angazhua për zvogëlimin e këtij hendeku dhe njoftoi se Kosova ka filluar të ulet përqindjen e lartë të ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte ndërlidhja teknike e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore me Sistemin e Menaxhimit të Pagave të Thesarit, që pritet të përmirësojë saktësinë e të dhënave, të zvogëlojë procedurat manuale dhe të forcojë menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin publik.

Në përfundim, Kosova dhe BE-ja ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, përfshirë në nivel teknik, për të mbështetur zbatimin e plotë dhe sa më të shpejtë të reformave të ndërmarra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *