Bashkimi Evropian ofron përfitime për Ballkanin Perëndimor para anëtarësimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu se Bashkimi Evropian ka si qëllim t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët evropian, edhe para se ato të bëhen anëtare të BE-së.

Kjo deklaratë erdhi gjatë një konference për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas përfundimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt të mërkurën në Bruksel.

Në këtë samit, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia nuk kishte asnjë përfaqësues.

Von der Leyen e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Evropian si një imperativ strategjik për Evropën, duke theksuar se aktualisht ka një momentum të vërtetë për avancimin e procesit të integrimit të vendeve të rajonit. “Ne duam t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët përpara anëtarësimit”, tha ajo.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, BE-ja po punon për hapjen e sektorëve të caktuar të tregut për vendet e rajonit, duke u ofruar mundësi për të përfituar gradualisht nga integrimi ekonomik, përderisa zbatojnë reformat e nevojshme për krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

Ajo theksoi se ky proces mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian, dhe se qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë po përjetojnë disa nga përfitimet e integrimit para anëtarësimit.

Si shembull, von der Leyen përmendi përfshirjen e katër partnerëve të rajonit në SEPA, që lejon transfere bankare më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Ajo gjithashtu foli për zgjerimin e marrëveshjes së roamingut, duke njoftuar se negociatat kanë filluar me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Një tjetër hap i paralajmëruar është nisja e dialogëve për integrim gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor në fillim të vitit të ardhshëm.

Këta dialogë synojnë të identifikojnë mundësitë e reja për përfshirjen e vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Von der Leyen gjithashtu u ndal te zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se përmbushja e hapave të reformave nga vendet e rajonit ka shënuar rritje nga 38 për qind një vit më parë, në 63 për qind këtë vit.

Ajo paralajmëroi se përmes përmbushjes së reformave mund të zhbllokohen edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme.

Përveç integrimit evropian, presidentja e Komisionit Evropian theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të afrohet më shumë me njëri-tjetrin”, tha ajo, duke përmendur rritjen e tregtisë rajonale, njohjen e kualifikimeve, roamingun dhe krijimin e korridoreve të gjelbra për lehtësimin e qarkullimit të mallrave.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se samiti i së mërkurës ka riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai vlerësoi se intensiteti i takimeve ndërmjet liderëve evropianë dhe përfaqësuesve të rajonit tregon angazhimin politik të BE-së ndaj procesit të zgjerimit. “Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian.

Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, theksoi Costa.

Ai përmendi se gjatë samitit është bërë një bilanc i të arriturave që nga takimi i mëparshëm në Tivat dhe është diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt integrimit gradual të vendeve të rajonit.

Costa theksoi përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë si dëshmi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një objektiv i paarritshëm për ato vende që angazhohen seriozisht në zbatimin e reformave. “Këtë vit, ne filluam hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kishim ndërmarrë prej më shumë se 10 vjetësh.

Shqipëria gjithashtu ka filluar t’i mbyllë kapitujt e negociatave”, tha ai.

Sipas tij, edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit, por kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave.

Megjithatë, Costa theksoi se procesi i integrimit nuk varet vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. “Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pres me padurim përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe”, përfundoi ai.

Presidenti i Këshillit Evropian u bëri thirrje vendeve të rajonit që të tejkalojnë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të përqendrohen në të ardhmen. “Sfidat e rrënjosura në të kaluarën duhet të kapërcehen dhe duhet të shohim përpara e jo prapa”, tha Costa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *