Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të dy personave të tjerë, të cilët, sipas tij, kanë vepruar si vartës të Valon Llukës në kompaninë Hirano, pjesë e Grupit Mabetex.
Në një reagim publik, Pacolli ka theksuar se dyshimet për keqpërdorime në këtë kompani nuk prekin vetëm dëmin që i është shkaktuar asaj dhe aksionarëve, por edhe fondet e Bashkimit Evropian, të cilat ishin destinuar për zhvillimin e fabrikës në Mitrovicë.
Ai e ka bërë të ditur se, sipas dokumentacionit që, siç thotë ai, është në dispozicion të prokurorisë, përmes mashtrimeve janë keqpërdorur edhe fondet evropiane.
Pacolli ka vlerësuar se arrestimet e fundit forcojnë punën e organeve të drejtësisë në Kosovë dhe ka kërkuar një hetim të plotë për çdo dyshim të mundshëm për keqpërdorime në kompanitë ku ka operuar Valon Lluka.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur kompaninë Hirano, kompanitë e Grupit Mabetex, si dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Pacolli ka kërkuar që roli i Llukës dhe i bashkëpunëtorëve të tij, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim i dyshimtë, të hetohen deri në fund. “Çdo dëm duhet të dokumentohet dhe përgjegjësitë të përcaktohen nga drejtësia”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se gjatë dekadave të angazhimit në biznes ka ndërtuar kompani dhe ka krijuar vende pune, duke u besuar njerëzve përgjegjësi, por ka theksuar se ky besim nuk duhet të keqpërdoret.
Pacolli ka theksuar se nuk kërkon hakmarrje apo dënime pa prova, por zbardhjen e së vërtetës dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.
Në përfundim, ai ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur interesat e tij, duke kërkuar që edhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri të hetojnë çdo dyshim lidhur me aktivitetet në Aeroportin e Vlorës. “Do të përdorim çdo mjet ligjor për të mbrojtur interesat tona dhe nuk do të heqim dorë”, ka theksuar ai.