Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur apelin e tij kundër dëbimit nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, pasi gjykata në Mançester ka vlerësuar se ai kishte sajuar pretendimet se ishte viktimë e trafikimit dhe se ishte detyruar të punonte në ferma të kanabisit.
Kjo është historia e I.H, i cili kishte pretenduar para gjykatës se ishte dërguar në Britani dhe ishte detyruar të punonte në ambiente ku kultivohej kanabis, për shkak të një borxhi që babai i tij dyshohet se kishte ndaj një grupi kriminal në Shqipëri.
Ai kishte deklaruar se përballej me rrezik serioz në rast të kthimit në vendlindje.
Megjithatë, pretendimet e tij u kundërshtuan nga autoritetet britanike, të cilat paraqitën prova që, sipas tyre, tregonin mospërputhje në rrëfimin e shqiptarit.
Një ndër provat kryesore ishin fotografitë e dorëzuara nga ish-partnerja e tij, të publikuara më herët në rrjetet sociale.
Në ato fotografi, i riu shfaqej në momente të ndryshme të jetës së tij gjatë vitit 2024, duke përfshirë propozimin për martesë në Mançester, një festë beqarie në Uells dhe ceremoninë e diplomimit të ish-partneres në Suonsi.
Gjithashtu, në gjykatë u paraqitën të dhënat e udhëtimeve ajrore, të cilat tregonin se ai kishte udhëtuar drejt dhe nga Shqipëria në periudha kur pretendonte se mbahej i mbyllur dhe detyrohej të punonte në fermat e kanabisit.
I.H. ishte dënuar në shkurt të vitit 2025 me dy vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për komplot për prodhimin e kanabisit.