Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarit Fabiana Vega, Batuhan Beyoglu, Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj, në një rast që përfshin krime të organizuara dhe trafikim me njerëz.
Fabiana Vega është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, ndërsa Batuhan Beyoglu me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj janë dënuar me nga 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë secili.
Në këtë rast, Vega dhe Beyoglu akuzoheshin për “Krim të organizuar” dhe “Trafikim me njerëz”, ndërsa Beyoglu gjithashtu për shitblerje të narkotikëve.
Jashanica dhe Lecaj ishin akuzuar për “Grabitje” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Rrahman Beqiri (kryetar), Leon Përlaska dhe Kushtrim Shyti.
Sipas vendimit, Fabiana Vega iu rikualifikua akuzat nga “Krim i organizuar” në “Mundësim/detyrim në prostitucion”, duke marrë dënimin përkatës.
Masa e paraburgimit për të do të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Batuhan Beyoglu, pas rikualifikimit të akuzës nga “Krim i organizuar” në “Ofrim të lokaleve për prostitucion”, u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa u lirua nga akuza për shitblerje të narkotikëve.
Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj, për veprën penale “Grabitja”, u dënuan me nga 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në seancën e shpalljes ishin të pranishëm të akuzuarit me avokatët e tyre.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Vega dhe Beyoglu akuzoheshin se nga viti 2019 deri më 29 korrik 2024, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, organizonin dhe rekrutuan gra nga Amerika Latine për prostitucion në Kosovë.
Këto gra, sipas aktakuzës, ishin detyruar të ofronin shërbime seksuale përmes kanosjes ose forcës.
Vega akuzohet se regjistronte këto gra për shërbime në platforma të ndryshme dhe se merrte përfitime financiare nga veprimtaria e tyre.
Pjesëmarrësit e tjerë të grupit kriminal gjithashtu kishin rol në organizimin dhe mbikëqyrjen e këtij aktiviteti të paligjshëm, duke përfshirë përdorimin e forcës ndaj viktimave për të realizuar grabitje dhe shkelje të tjera ligjore.