Një ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali njoftoi se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes dhe sfidoi drejtimin e PS-së me kërkesën për hapjen e garës për kryesinë e partisë pas 17 vitesh.
Në një konferencë për media, ajo kritikoi mënyrën e vendimmarrjes brenda PS-së dhe pranoi përgjegjësinë për përqendrimin e pushtetit në duar të një individi, duke e cilësuar Belinda Ballukun si viktimë të modelit aktual të qeverisjes.
Spiropali e quajti përjashtimin e saj një vendim jolegjitim dhe shprehu se e sheh këtë si një dekoratë, duke theksuar se është gruaja e parë në 35 vite që përjashtohet nga PS-ja. “Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin.
Mendoj se do kemi shumë për të parë ende”, tha ajo.
Ajo e kundërshtoi procedurën e ndjekur për përjashtimin e saj, duke theksuar se vendimi ishte marrë pa votim në Asamblenë Kombëtare. “Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja, por nuk u dha as kjo mundësi.
Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, le më veprime”, shtoi Spiropali.
Ajo e krahasoi mënyrën e marrjes së vendimit me praktikat e Koçi Xoxes, duke e akuzuar drejtimin e PS-së për arbitraritet. “As Koçi Xoxe nuk i bënte këto në mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që duhet të ishte aty.
Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që, më shumë se legjitimitet, ato shprehin arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së pak njerëzve”, theksoi ajo.
Pavarësisht përjashtimit, Spiropali theksoi se do të vazhdojë të mbajë mandatin e saj si deputete, duke argumentuar se ka kontribuar në Partinë Socialiste.
Ajo kërkoi një garë për drejtimin e partisë, duke theksuar se nuk ka kryetar të përjetshëm. “Statuti nuk është Bibël…”, tha ajo.
Ajo e lidh këtë situatë me protestat e të rinjve, duke theksuar se numri i mandateve nuk mund të kompensojë mungesën e legjitimitetit dhe besimit. “E ka treguar historia botërore që pushtetet nuk mbahen nga muret, por nga respektimi i të drejtave.
Mbaj edhe faj, por edhe krenari për të shkuarën time”, përfundoi Spiropali, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet nëse PS-ja nuk reformohet.
Në konferencën e saj, ajo shprehu keqardhje për Belinda Ballukun, duke e cilësuar atë si viktimë të modelit të pushtetit aktual.
Ajo kritikoi përjashtimin e socialistëve nga proceset vendimmarrëse dhe tha se nuk duhet të lejohet që PS të humbasë trashëgiminë e saj politike. “Nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe nuk duhet që PS të katandiset si të tjerat.
Në këtë pikë ne duhet të çrrënjosim këtë model, t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër”, përfundoi Spiropali.