Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast grabitjeje në tentativë që ka ndodhur në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Lezhës”, të premten në ora 21:37. “Dy ankuesit meshkuj kosovarë, kanë raportuar se derisa kanë qenë duke punuar në pikën e derivateve, aty ishte shfaqur i dyshuari mashkull i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës u kishte kërkuar para.
I dyshuari, pasi nuk ka arritur të marrë para, e kishte hequr maskën duke u thënë ankuesve se ‘ka bërë shaka’ dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin policor.
Pas një kohe, i dyshuari është paraqitur te zyrtarët policorë që ishin në vendngjarje, nga ku është konfiskuar thika që dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.