Dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit në rastin e parë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të përballet më të martën me një tjetër vendim të Gjykatës Speciale në Hagë, në lidhje me akuzat për pengim të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara kanë përfunduar të gjitha përgatitjet procedurale për këtë seancë, duke akredituar familjarët dhe mediat e interesuara për të ndjekur nga afër vendimin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. “Të gjithë familjarët që kanë aplikuar janë pranuar për ta ndjekur seancën fizikisht.
Po ashtu, janë pranuar të gjithë përfaqësuesit e mediave që kanë aplikuar brenda afatit të përcaktuar.
Nëntë përfaqësues të mediave janë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në objektet e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, tha Gjykata në përgjigjen e saj.
Avokatët kosovarë nuk presin një vendim në favor të ish-presidentit Thaçi, duke u bazuar në aktgjykimin e 16 shtatorit, ku ai dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së u shpallën fajtorë. “Në qoftë se shikojmë se aktgjykimi i shkallës së parë në rastin e parë tanimë veç është sjell me të cilin është dënuar Hashim Thaçi, atëherë rezulton se nuk ka pasur vepër penale për këtë rastin e dytë sepse nuk ka pas asnjë ndikim tek dëshmitarët për të ndryshuar deklaratat e tyre”, tha avokati Betim Shala.
Ai shtoi se nuk pret që gjykata t’i dënojë aq sa ka kërkuar prokuroria, por se presin dënime më të ulëta. “Deri tash gjykata ka nxjerrë disa aktgjykime për pengim të drejtësisë, ku dënimi më i lartë ka qenë katër vjet e gjysmë.
Por, mendoj se do mund të ketë dënime të kësaj natyre edhe më të ulëta”, theksoi avokati Arbër Jashari.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar që Hashim Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim dhe gjithashtu ka kërkuar që periudha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në vuajtjen e dënimit të mundshëm.