Kontrolli i Automjeteve Off-Road në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka njoftuar për kontrolle dhe masa ligjore ndaj atyre që përdorin automjete off-road dhe motoçikleta jashtë rrugëve të lejuara në zonat natyrore.

Gjatë një aktiviteti të organizuar të dielën në zonën e Moknës, Inspektorati i Natyrës, në bashkëpunim me rojet e natyrës të DAPK-së, realizoi një aksion vetëdijesues për ata që vizitojnë këtë zonë me mjete motorike.

Sipas njoftimit, Mokna, si zonë e propozuar për mbrojtje, ka vlera të rëndësishme natyrore dhe peizazhore, të cilat rrezikohen nga lëvizja e pakontrolluar e automjeteve jashtë rrugëve të lejuara.

DAPK-ja thekson se ky lloj qarkullimi shkakton dëme në peizazhin natyror, mbulesën bimore, tokën dhe qetësinë e habitateve natyrore.

Drejtoria ka bërë të qartë se thirrja për respektimin e rregullave është e vlefshme për të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, e jo vetëm për zonën e Moknës.

Po ashtu, qytetarët dhe adhuruesit e aktiviteteve motorike janë inkurajuar që të mos qarkullojnë jashtë rrugëve të lejuara dhe të tregojnë përgjegjësi ndaj mjedisit. “Kontrollet dhe mbikëqyrja në terren do të vazhdojnë, ndërsa ndaj shkelësve do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore, përfshirë shqiptimin e gjobave”, thuhet në njoftim. “Natyra nuk është pistë garash!

Mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar DAPK-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *