Kryeministri Edi Rama njoftoi se të premten do të hapë një dritare dialogu online për të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëbisedojnë me të.
Gjatë konferencës me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, ai theksoi se tre grupe studentësh janë penguar dhe kërcënuar, si në mënyrë online ashtu edhe fizikisht, ndërsa kanë tentuar të zhvillojnë takime me të.
Sipas tij, studentët janë bullizuar pasi emrat e tyre janë bërë publikë.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se do të merren masa ligjore, penale dhe administrative ndaj atyre që përdorin kërcënime dhe dhunë.
Ai shtoi se do të ketë reagim ndaj atyre që bllokojnë rrugët apo ushtrojnë dhunë ndaj policisë. “Nesër do të ndezim një tjetër dritare të dialogut.
Dritare të dialogut që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi.
Për studentët që kërcënohen nga pseudostudentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që u çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon të hedhë hapin e dialogut.
Tri grupe studentësh janë kthyer pas me dhunë online dhe offline nga këto lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar.
Tri grupe studentësh me emra dhe mbiemra.
Të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si, dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.
Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë.
Nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua.
Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim.
Ndryshe, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi, ligjërisht, edhe penalisht, edhe administrativisht.
Edhe ata që bllokojnë rrugët, edhe ata që ngrenë dorën kundër policëve dhe ndërkohë s’duan të dinë për mijëra të tjerë që kanë lirinë e tyre të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan”, u shpreh Rama.