Mazllum Baraliu: Nevojitet Veprim Urgjent për Dhomat e Specializuara

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, u ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës që ta shndërrojnë sa më shpejt dakordimin për nismën e re ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara në veprime konkrete, duke theksuar se Kosova është vonuar në këtë proces.

Në një intervistë, Baraliu e ka përgëzuar pajtimin mes dy partive kryesore për trajtimin e kësaj çështjeje, por ka kërkuar që puna në grupin punues të zhvillohet me urgjencë, pa zvarritje dhe me përfshirjen e ekspertëve juridikë, diplomacisë dhe institucioneve të vendit.

Sipas tij, është e domosdoshme që ndryshimet ligjore të mos mbeten vetëm në nivel formal, por të sjellin efekte konkrete juridike, sidomos në kufizimin e mandatit të Speciales dhe në mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e dytë të apelit në Hagë. “Diçka që ishte dashur të ndodhë më herët dhe të mos ketë zvarritje në aspektin kohor, pasi jemi të vonuar dhe mund të jemi edhe më tepër. Është mirë që dy partitë kryesore parlamentare janë në dakordancë të plotë me njëra-tjetrën që të trajtohet kjo çështje.

Pa marrë parasysh shkelje apo jo gjatë procedurës, është e rëndësishme që të shkohet sa më parë me miratimin e këtij ligji dhe plotësim-ndryshimin e dytë të ligjit, për ta bërë sa më integrues dhe efektiv në kuptimin juridik, që të ketë efekte juridike.

Të veprohet dhe të mos vonohemi nga grupi punues, ekspertët, diplomacia jonë dhe i gjithë shteti, për të ndihmuar mbrojtjen e katërshes në Hagë në shkallën e dytë të apelit”, tha ai.

Duke folur për përmbajtjen e nismës së re legjislative, Baraliu theksoi se ajo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht me nenin 162, paragrafin 3 dhe Amendamentin 24 të Kushtetutës.

Ai vlerësoi se versioni i parë i projektligjit kishte mangësi serioze kushtetuese dhe kërkoi që grupi punues të ketë kujdes të veçantë gjatë rishikimit dhe ripërpunimit të tij.

Baraliu nënvizoi se efektet juridike të nismës së re do të varen nga përmbajtja përfundimtare e projektligjit dhe nga mënyra se si ai do të harmonizohet me dispozitat kushtetuese dhe mekanizmat përkatës të Dhomave të Specializuara. “Për efektin që do të ketë, varet nga përmbajtja që do të ketë në rishikimin dhe ripërpunimin e këtij projektligji nga grupi punues dhe Kuvendi.

Ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, më saktësisht me nenin 162, paragrafin 3 të saj dhe Amendamentin 24 të Kushtetutës.

Duhet të jetë gjithashtu në përputhje me kërkesat e Dhomës Kushtetuese brenda Dhomës Speciale.

Prandaj duhet pasur kujdes, sepse versioni i parë ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe Dhomën Kushtetuese atje”, theksoi Baraliu.

Nga ana tjetër, Baraliu kërkoi angazhim të shtuar të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se në këtë proces nuk ka kohë për strategji të gjata, por nevojiten veprime të shpejta dhe konkrete.

Ai theksoi rolin e grupit punues, ekspertëve dhe diplomacisë kosovare, duke kërkuar që projektligji të jetë bindës për Bashkimin Evropian dhe të mundësojë efekte juridike dhe politike. Çdo minutë është e rëndësishme duke pasur parasysh proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë dhe rëndësinë e mbështetjes për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit. “Duke qenë se kryesuesi i këtij grupi është strategjik, nuk ka kohë për strategji, duhet bërë veprime konkrete dhe urgjente. Çdo sekondë dhe minutë është e vlefshme, pasi është e rëndësishme që ai është kryediplomat dhe zëvendëskryeministër.

Duhet të punojnë ditë e natë dhe të hartojnë një projektligj për ndryshim-plotësim ose nga zero të bëjnë një të tillë adekuat dhe bindës për BE-në, që të ketë efekte politike dhe juridike, sa më shumë të jetë e mundur”, potencoi Baraliu.

Baraliu komentoi edhe dënimin e dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të drejtësisë, duke shprehur kritika ndaj Gjykatës Speciale dhe mënyrës së trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai e cilësoi vendimin si vazhdimësi të qasjes së mëparshme të gjykatës dhe kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, është kualifikuar veprimtaria e ish-krerëve të UÇK-së. “Fatkeqësisht, si vazhdimësi e atij të parit, por me elemente dhe premisa për të lënë një përshtypje se këta janë më të butë pas protestave dhe reagimit të institucioneve tona dhe të popullit.

Ajo që ata e kanë bërë në shkallën e parë dhe e kanë kualifikuar veprimtarinë e katërshes si veprimtari kriminale dhe organizim kriminal.

Ajo nuk është akuzë dhe dënim ndaj atyre, por edhe ndaj Kosovës dhe themeleve të shtetit.

Vetë fakti që kanë paralajmëruar gjashtë vjet për Thaçin dhe i dhanë 17 muaj, ndërsa të tjerëve më pak, tregon se ka ndikuar dhe ka pasur efekt pozitiv revolta popullore.

Pasi ata, në emër të popullit, e morën atë vendim drastik”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *