Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, shpreh pritshmëritë e tij për mesazhe të fuqishme lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe për diskutime thelbësore dhe rezultate konkrete nga Samiti i Procesit të Berlinit që po zhvillohet sot në Mal të Zi. “Sot pres mesazhe shumë të forta në lidhje me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sigurisht, këtu përfshij edhe vendin tim.
Dosja e Maqedonisë është shumë komplekse.
Ne e kemi merituar prej kohësh të jemi pjesë e BE-së, por, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje të fillojmë negociatat,” tha Mickoski para fillimit të Samitit.
Mickoski gjithashtu njoftoi se në fjalimin e tij do të theksonte angazhimin e fortë të Qeverisë së RMV-së ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian, duke treguar se Qeveria do të vazhdojë të veprojë në atë drejtim në të ardhmen. “Në fjalimin tim do të paraqes dhe përcjell mesazhin e angazhimit të fortë të Qeverisë Maqedonase ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian.
Praktikisht, i tillë ka qenë veprimi i Qeverisë sime deri më tani dhe ne do të vazhdojmë të ecim në atë rrugë në të ardhmen,” theksoi Mickoski.