Ministrja Janevska: Rritja e Dhunës Mes Bashkëmoshatarëve Kërkon Veprime Të Menjëhershme

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka shprehur shqetësim të thellë për rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve në vendin tonë.

Ajo theksoi se, pavarësisht masave, fushatave dhe udhëzimeve të cilat janë ndërmarrë, është vërejtur një rritje e brutalitetit dhe një apati shqetësuese te fëmijët, të cilët, përmes filmimit dhe shikimit të incidenteve, de facto bëhen bashkëpjesëmarrës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me rastin në Tetovë, gjatë panel-diskutimit “Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 – përparim dhe reforma”, Janevska prezantoi masat që Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka zbatuar tashmë në shkolla. “Më vjen keq që ende në Maqedoni ndodhin gjëra të tilla, edhe pse ne si ministri zhvillojmë një fushatë intensive kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve.

Janë përgatitur udhëzues për shkollat, është vendosur një sistem veprimi në rastet e dhunës mes nxënësve, për mësimdhënësit, shërbimet profesionale dhe drejtorët.

Kemi forcuar lidhjen e sistemit arsimor me shërbimet sociale dhe MPB-në, si dhe kemi dy fushata që po zhvillohen në media, përveç udhëzuesve kundër dhunës kibernetike dhe shumë masave të tjera”, deklaroi Janevska.

Ajo gjithashtu theksoi se është vendosur bashkëpunim me Odën e Psikologëve dhe se fokusi duhet të jetë edhe te mjedisi familjar. “U përpoqëm të përfshijmë edhe prindërit, sepse ata janë një hallkë e rëndësishme.

Procesi aty ecën pak më vështirë, por po punojmë edhe në drejtim të njohjes së hershme të shenjave te fëmijët që përjetojnë ndonjë formë dhune.

Këtë e kemi lidhur me dhunën në familje, sepse ekspertët thonë se një përqindje e madhe e dhunës mes bashkëmoshatarëve lidhet me dhunën familjare”, shtoi ministrja.

Në kuadër të hapave të propozuar, nga MASH është kërkuar që mësimdhënësit të jenë të pranishëm në korridoret dhe oborret e shkollave, ndërsa në procedurë parlamentare është edhe propozimi për gjobitjen e prindërve me 250 euro. “Secili duhet të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që ndërmerr.

Edhe të miturit, pavarësisht se janë të mitur, por edhe prindërit e tyre duhet të kenë përgjegjësi.

Këtë e kemi thënë shumë herë dhe të gjithë duhet të bëhen të vetëdijshëm se kujdesi për fëmijët është përgjegjësi e përbashkët.

Nuk mund të lihet vetëm në duart e shkollave, shërbimeve sociale apo MPB-së”, theksoi Janevska, duke shtuar se fushatat dhe trajnimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *