Ndotja e ajrit vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha mjedisore në Kosovë, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Avokati i Popullit, në një raport të publikuar më 6 nëntor 2026, ka ngritur shqetësime serioze mbi nivelin e ndotjes, tejkalimin e vlerave të lejuara dhe mangësitë institucionale në mbrojtjen e ambientit.
Sipas këtij raporti, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, ngrohja e amvisërive, transporti rrugor dhe aktivitetet industriale mbeten burimet kryesore të ndotjes atmosferike.
Të dhënat e përfshira në dokument tregojnë se vitin 2025, përqendrimi më i lartë i grimcave të imëta PM₂.₅ është regjistruar në Kodrën e Trimave në Prishtinë, me një nivel të frikshëm prej 272 mikrogramësh për metër kub.
Raporti tregon se tejkalimet e vlerave të lejuara janë më të shpeshta gjatë muajve të dimrit, kur përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje dhe kushtet atmosferike të pafavorshme përkeqësojnë cilësinë e ajrit.
Gjatë vitit 2025, stacioni monitorues te Rilindja në Prishtinë ka regjistruar 43 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore për PM₁₀, ndërsa Kodra e Trimave ka pasur 32 ditë tejkalimesh.
Në Mitrovicë janë evidentuar 26 ditë, te stacioni i IHMK-së në Prishtinë 21 ditë dhe në Obiliq 16 ditë.
Tejkalime janë regjistruar gjithashtu në Pejë, Gjilan, Drenas, Dardhishtë, Han të Elezit dhe Prizren.
Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e drurit dhe qymyrit për ngrohje.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raporti thekson se rreth 72% e familjeve në Kosovë përdorin drurin për ngrohje, 23% energjinë elektrike dhe 5% burime të tjera.
Ndotja nga ngrohja shtëpiake lidhet me rritjen e rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe atyre kardiovaskulare, sidomos gjatë dimrit.
Sa i përket termocentraleve, raporti identifikon “Kosovën B” si ndotësin më të madh industrial, veçanërisht për emetimet e pluhurit dhe oksideve të azotit.
Avokati i Popullit vëren se emetimet nga termocentralet shpesh tejkalojnë kufijtë e lejuar, pavarësisht përmirësimeve të regjistruara në disa tregues të cilësisë së ajrit.
Raporti thekson gjithashtu nevojën për masa konkrete dhe të koordinuara institucionale, duke përfshirë përmirësimin e monitorimit, forcimin e kontrolleve, zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe përdorimin e teknologjive më të pastra.
Dokumenti u dërgua kryeministrit Albin Kurti dhe drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për mjedisin, energjinë, transportin dhe shëndetin publik.