Paraburgim për Pesë Të Arrestuar për Narkotikë në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur sot për caktimin e një muaji paraburgim ndaj të pandehurve I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S., vetëm dy ditë pas sekuestrimit të 37 kilogramëve të narkotikëve në një operacion të realizuar nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Dy nga të arrestuarit janë shtetas turq, një është nga Maqedonia e Veriut dhe dy janë shtetas të Kosovës.

Ata akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të një grupi kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, në një konferencë për media dje tha se ky aksion është rezultat i një hetimi të nisur së fundmi, bazuar në informacione të mbledhura nga AKI.

Ndërkaq, prokurori i rastit, Atdhe Dema, theksoi se vlera e narkotikëve të sekuestruar është rreth 550 mijë euro.

Përveç narkotikëve, policia ka sekuestruar gjithashtu 5,300 euro dhe 100 dollarë para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona celularë, një pajisje DVR për kamerat e sigurisë, 15 fishekë dhe një prerëse.

Sipas hetimeve, dyshohet se grupi kriminal ka transportuar sasinë e narkotikëve të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *