Paralajmërim nga Policia: Identifikimi i Dhunuesve dhe Thirrje për Siguri në Tubime

Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, në një deklaratë për media ka theksuar se ata që përpiqen të shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht se maskohen apo përpiqen të fshehin identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me pasoja ligjore.

Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që të distancohen nga individët e maskuar dhe të dhunshëm, duke i inkurajuar që të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.

Po ashtu, Nushi kërkoi nga prindërit që të mos lejojnë fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në vende ku siguria e tyre mund të vihet në rrezik për shkak të përplasjeve dhe akteve të dhunshme që janë paralajmëruar në rrjetet sociale.

Deklarata e tij vijon: “Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.” Edhe dje dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka vënë re thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të saj, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka filluar procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë hetime për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. “Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

Pjesëmarrësit në tubim duhet të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.” Nushi gjithashtu ka bërë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve nga situatat e rrezikshme, duke e cilësuar atë si përgjegjësi të përbashkët.

Ai i kërkoi gazetarëve dhe operatorëve mediatikë që të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e saj, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. “Vlerësojmë maksimalisht rëndësinë e informimit të publikut dhe të ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, në respektim të masave të sigurisë.” Në fund, ai apeloi për qetësi, përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit, për të siguruar që tubimi të zhvillohet paqësisht dhe pa cenuar sigurinë e askujt. “E drejta kushtetuese për t’u tubuar paqësisht do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, sulme ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrim të pronës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *