Instituti Hidrometeorologjik njofton se sot në Kosovë do të mbajë mot të vranët dhe vende-vende me riga shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të jenë nga 16 deri në 19 gradë.
Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s.
Megjithatë, gjatë të enjtes, disa ueb-faqe që merret me parashikimin e motit, si MeteoKosova, theksojnë se erërat nga drejtimi i jugperëndimit priten të fuqizohen më shumë për shkak të afrimit të ciklonit “Charles”.
Kjo mund të sjellë momente me intensitet stuhie të fortë, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit, ku hove të erës mund të arrijnë shpejtësinë deri në 80 km/h.
Erërat e fuqishme mund të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta.
Në orët e mbrëmjes pritet intensifikim i reshjeve, kryesisht në gjysmën e epërme të Kosovës, për shkak të afrimit të ciklonit “Charles”.
Ky ciklon pritet të gjenerojë reshje intensive, shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër të vogël.
Me kalimin e orëve të mbrëmjes dhe pas mesnate, gjatë orëve të para të së shtunës, reshjet pritet të zhvendosen gradualisht drejt jugut.
Si pasojë e reshjeve intensive, të cilat në disa zona mund të zgjasin për një periudhë të konsiderueshme, priten përmbytje lokale.
Po ashtu, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Shqipëri ka paralajmëruar për reshje mesatare deri në shumë intensive në disa qarqe të vendit, gjatë ditës së sotme dhe asaj të nesërme.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit priten reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, në qarqet Shkodër dhe Kukës.