Në fillim të mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar, një debat dhe përplasje verbale ka shpërthyer mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Baloku.
Ky komision po shqyrton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Përplasja nisi kur Rrahmani kërkoi nga eksperti Skender Kandiq të sqaronte nëse kishte ndonjë konflikt interesi, duke e ngritur çështjen e angazhimit të tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale (QPS).
Rrahmani kërkoi që Kandiq të prezantonte përvojën e tij profesionale dhe aktivitetet e deritanishme, duke shprehur shqetësimin se prania e tij në Komision mund të ndikonte në punën e këtij organi.
Në përgjigje, Kandiq mohoi çdo konflikt interesi, duke sqaruar se para luftës kishte punuar në Qendrën për Punë Sociale, ndërsa pas luftës kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Spitalin Rajonal. “Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, deklaroi Kandiq.
Pas këtij sqarimi, Armend Baloku kritikoi Rrahmanin, duke theksuar se deputeti kishte pasur mundësi ta shqyrtonte paraprakisht CV-në e ekspertit, para se të votohej për përzgjedhjen e tij.
Rrahmani reagoi duke pretenduar se Kandiq kishte qenë figurë politike dhe kandidat për deputet, duke akuzuar njëkohësisht se Komisioni është politizuar. “Është figurë politike.
E keni politizu këtë komision.
Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, u shpreh Rrahmani.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e Balokut, i cili iu kundërpërgjigj duke akuzuar Rrahmanin dhe rrethin e tij për mashtrim.