Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, kanë pasur një debat të fortë në Kuvendin e Kosovës lidhur me tenderët për furnizimin me barna, mungesat në sistemin shëndetësor dhe akuzat për keqpërdorime të parasë publike.
Vitia e ka kundërshtuar Zemajn, duke thënë se pas kritikave qëndrojnë interesa të kompanive farmaceutike, dhe ka paralajmëruar se një email të cilit iu referua deputeti do ta dërgojë në Prokurori.
Gjatë debatit, Zemaj akuzoi Qeverinë për keqmenaxhim të sektorit të shëndetësisë, duke theksuar se, pavarësisht rritjes së buxhetit, mungesat e barnave dhe listat e pritjes për pacientët janë rritur.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për rritjen e çmimeve të barnave kundër kancerit për 300 për qind, duke thënë se vetëm dy kompani farmaceutike kanë përfituar tenderë në vlerë prej mbi 150 milionë eurosh. “Kemi folur në vazhdimësi për këto keqpërdorime që besa edhe vjedhje të parasë publike që nënkuptojnë edhe vjedhjen e jetës së pacientëve.
Nuk duhet të presim derisa ka shpërfaqje të një skandali edhe për me u mbledh kuvendi por edhe e u ndje qeveria më e përgjegjshme,” tha Zemaj.
Në përgjigje, ministri Vitia e mohoi akuzat, duke thënë se deputeti i LDK-së nuk ka paraqitur fakte për mbështetje. “Ju e përmendët prapë keqpërdorime e vjedhje, por kurrë as edhe një gjysmë fakti nuk e keni paraqitur.
Listat e pritjes janë rritur, por janë rritur shërbimet për besë…
E di pse e bëni këtë, është lufta farmaceutike,” tha Vitia.
Zemaj gjithashtu iu referua një emaili zyrtar, duke thënë se beson se është në Prokurori.
Në kundërpërgjigje, Vitia tha se do ta dërgojë vetë në Prokurori, duke mohuar lidhjen me personin e përmendur gjatë debatit. “Pse po ma jepni këtë kur e dini se nuk është e imja, nuk ka qenë as bartës i imi,” përfundoi Vitia.