Përplasje në Kuvend për Mungesën e Kryeministrit Kurti

Mungesa e kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar një përplasje mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Rrahmani e kritikoi kryeministrin për mospraninë e tij në seancat parlamentare, duke theksuar se Kurti nuk ka marrë pjesë në katër seanca dhe nuk i ka përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Ai përmendi se në seancën e kaluar, sipas tij, kryeministri kishte qenë në panairin që u organizua në Pallatin e Rinisë, në vend se të ishte i pranishëm në Kuvend për t’u përgjigjur deputetëve. “Kryeministri në katër seanca nuk vjen dhe nuk jep llogari.

Në seancën e kaluar ka qenë në Pallatin e Rinisë, në panair, duke shëtitur e vizituar.

Nuk e ka marrë përgjegjësinë të vijë e t’u përgjigjet deputetëve”, tha ai.

Ndaj këtyre kritikave reagoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila sqaroi se vizitat zyrtare të kryeministrit ishin planifikuar shumë kohë më parë.

Haxhiu theksoi se Kurti kishte qenë në Paris dhe më pas kishte udhëtuar për në Dublin, duke theksuar se bëhej fjalë për vizita zyrtare në kuadër të përfaqësimit të Kosovës.

Ajo kundërshtoi akuzat e Rrahmanit për udhëtimet e kryeministrit dhe nuk ia dha fjalën për të vazhduar diskutimin. “Vizitat zyrtare të kryeministrit Kurti janë planifikuar shumë kohë më parë.

Ka qenë në Paris dhe tash në Dublin, dhe nuk ke nevojë të më thuash ‘po shëtitet andej-këndej’, sepse është kryeministër dhe përfaqëson Kosovën.

Jo, nuk po ta jap fjalën”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *