Përplasjet Politike në Serbi pas Mbylljes së Institucioneve Paralele në Kosovë

Mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë, si dhe marrëveshjet e arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kanë shkaktuar tensione të reja politike në Serbi.

Presidenti Aleksandar Vuçiq po përballet me akuza nga deputetët e Listës Studentore dhe përfaqësues të organizatave serbe nga Kosova.

Gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë, deputeti i Listës Studentore, Feda Dimoviq, e ka akuzuar Vuçiqin dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit të kaluar se kanë dorëzuar institucionet e shtetit serb në Kosovë përmes Marrëveshjes së Brukselit.

Dimoviq, anëtar i grupit muzikor “Sindikata e Beogradit”, ka reaguar ndaj pretendimeve se ai është pjesë e një “sindikate të Brukselit”, duke ua kujtuar deputetëve se marrëveshjen e vitit 2013 e kishte nënshkruar Ivica Daçiq, së bashku me përfaqësues të tjerë të atëhershëm të pushtetit. “Dëgjuam se unë jam një sindikatë e ‘Brukselit’, megjithëse ka disa njerëz këtu që nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, së bashku me Ivica Daçiqin dhe dorëzuan të gjitha institucionet e shtetit serb në Kosovë, dhe guxojnë të thonë se dikush është një sindikatë e ‘Brukselit’”, tha ai.

Në përgjigje, Vuçiq mohoi se kishte qenë nënshkrues i kësaj marrëveshjeje, duke ia atribuar përgjegjësinë ish-kryeministrit serb. “Marrëveshjen e Brukselit e ka nënshkruar Ivica Daçiq, jo unë”, u shpreh Vuçiq.

Kjo përplasje në Kuvendin e Serbisë ndodh në një kohë kur çështja e Kosovës vazhdon të jetë një nga temat kryesore të debatit politik në Beograd, sidomos pas mbylljes së disa institucioneve që funksiononin në Kosovë si pjesë e sistemit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë aksione për mbylljen e institucioneve paralele serbe që nga fillimi i vitit 2024, në kuadër të përpjekjeve për shtrirjen e rendit juridik dhe autoritetit institucional në të gjithë territorin e vendit.

Fillimisht, u mbyllën tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë, ndërsa më 30 gusht 2024 u mbyllën edhe pesë institucione të tjera në veri të Kosovës.

Aksionet vazhduan më 15 janar 2025, kur autoritetet kosovare ndërhynë në dhjetë komuna në pjesën jugore të lumit Ibër, ku u mbyllën disa komuna paralele, zyra postare dhe zyra tatimore që funksiononin nën sistemin e Serbisë.

Qeveria e Kosovës i ka konsideruar këto struktura si institucione paralele, të cilat kanë funksionuar jashtë rendit juridik të vendit.

Ministri i atëhershëm i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte deklaruar se këto institucione cenonin kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Përplasjet për politikën e Beogradit ndaj Kosovës nuk janë kufizuar vetëm në Kuvendin e Serbisë.

Më 16 nëntor, përfaqësues të tri organizatave serbe nga Kosova kanë dorëzuar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd një kallëzim penal ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë shtetërorë të Serbisë.

Në kallëzim përfshihen edhe ish-kryeministrat Ivica Daçiq dhe Ana Brnabiq, ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, si dhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Përfaqësuesit e organizatave i akuzojnë ata për tejkalim të kompetencave dhe për veprime që, sipas tyre, kanë kontribuar në krijimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

Kallëzimin penal e kanë nënshkruar kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçillo Trajkoviq, përfaqësuesit e lëvizjes “Atdheu”, Marko Jakshiq dhe Sllavisha Ristiq, si dhe udhëheqësit e Këshillit Nacional Serb të Kosovës, Ljubisha Dabiq dhe Momir Stojanoviq.

Ata kanë kërkuar që Prokuroria të hetojë vendimet dhe marrëveshjet e arritura nga ish-pushteti serb në raport me Kosovën.

Në mesin e kërkesave të paraqitura në kallëzimin penal është edhe rishqyrtimi i Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, si dhe i procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nënshkruesit e kallëzimit pretendojnë se këto marrëveshje i kanë dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare serbe.

Ata kanë kërkuar gjithashtu rishqyrtimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, Marrëveshjes së Ohrit, Planit franko-gjerman dhe të gjitha obligimeve që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Kosovën.

Një pjesë e veçantë e kallëzimit i kushtohet edhe funksionimit të institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë integrimin e policisë dhe gjyqësorit në sistemin e Kosovës.

Përveç kësaj, organizatat kanë kërkuar hetimin e rolit të Listës Serbe dhe të Goran Rakiqit, duke ngritur pretendime për presione të mundshme ndaj qytetarëve serbë lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e Kosovës.

Ata kanë kërkuar edhe hetimin e mënyrës se si janë shpenzuar fondet që Serbia ka ndarë për serbët dhe institucionet në Kosovë, duke pretenduar se ekzistojnë dyshime për keqpërdorime të këtyre mjeteve.

Në mesin e çështjeve për të cilat organizatat serbe kanë kërkuar hetim janë edhe vrasja e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018, dhe sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçillo Trajkoviq, ka thënë se përmes kallëzimit kërkojnë të hetohen lidhjet e mundshme të personave ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi me vrasjen e Ivanoviqit.

Sa i përket sulmit në Banjskë, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku, Trajkoviq ka kërkuar verifikimin e rrjedhave financiare dhe komunikimeve.

Sipas tij, synimi është të përcaktohet nëse personat ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi kishin dijeni paraprake për sulmin ose kanë kontribuar në të.

Përfaqësuesit e tri organizatave kanë deklaruar se presin që Prokuroria e Serbisë të trajtojë çështjet e ngritura në kallëzim, ndërsa nga Lista Studentore kanë shprehur pritjet për bashkëpunim në përcaktimin e politikës së ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *