Enti Shtetëror i Revizionit në Maqedoni ka evidentuar mangësi të rëndësishme në sigurinë e sistemit informatik të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Raporti tregon për mungesë të stafit, trajnimeve dhe kontrolleve të nevojshme për mbrojtjen e të dhënave.
Në periudhën 2023–2025, nga 42 pozita të sistematizuara në sektorin e informatikës, ishin plotësuar vetëm shtatë, ose 16.67 për qind.
Madje, pozita e zyrtarit përgjegjës për sigurinë e sistemit informatik nuk ishte plotësuar deri tani.
Revizioni ka vërejtur se, megjithëse në vitin 2023 më shumë se 550 punonjës kishin ndjekur trajnim bazë për sigurinë kibernetike, nuk janë organizuar trajnime të tjera dhe as simulime për të verifikuar nëse punonjësit janë në gjendje të dallojnë sulmet kibernetike.
Mangësi janë evidentuar edhe në mirëmbajtjen e sistemit, pasi në disa periudha nuk ka pasur kontrata aktive për mbështetje teknike.
Po ashtu, nuk është kryer testimi i plotë i sigurisë së sistemit për të identifikuar dobësitë e mundshme.
Problemet janë konstatuar edhe në ruajtjen e të dhënave.
Edhe pse Fondi ka kopje rezervë, nuk ka një politikë të miratuar për rikthimin e tyre dhe nuk është testuar nëse të dhënat mund të rikuperohen në rast incidenti.