Propozimi për Komisionin e Ekspertëve Juridikë për Ankimimin e Aktgjykimit ndaj Ish-krerëve të UÇK-së

Akademiku dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka propozuar që të krijohet urgjentisht një komision shtetëror i ekspertëve juridikë.

Ky komision do të merret me analizimin e aktgjykimit të shkallës së parë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe do të ofrojë ekspertizë të nevojshme për ekipet mbrojtëse në fazën e ankimimit.

Bajrami e vlerëson procesin e ardhshëm të ankimimit si një sfidë të rëndësishme juridike dhe institucionale për Kosovën.

Ai thekson se angazhimi duhet të fokusohet në argumente profesionale, analiza provash dhe identifikimin e shkeljeve të mundshme procedurale dhe materiale. “Beteja e ardhshme është ekskluzivisht juridike”, ka shkruar Bajrami, duke shtuar se Kosova duhet ta drejtojë vëmendjen nga mobilizimi politik në atë juridik dhe profesional.

Sipas tij, komisioni i propozuar duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare.

Ai ka sugjeruar që ky mekanizëm të ketë mandatin për të analizuar aktgjykimin e shkallës së parë, për të shqyrtuar vlerësimin e provave, përgjegjësinë individuale penale dhe bazën juridike të pretendimeve për përgjegjësi komanduese.

Bajrami ka kërkuar që ekspertiza të përfundojë brenda muajit nëntor, në përputhje me afatet procedurale të ankimimit, duke theksuar se puna e komisionit nuk duhet të vonojë përgatitjen e ankesave nga ekipet e mbrojtjes. “Dokumenti i komisionit duhet të shërbejë si material plotësues për mbrojtjen dhe jo si kusht apo pengesë për dorëzimin me kohë të ankesave”, ka theksuar ai.

Në propozimin e tij, Bajrami ka renditur disa drejtime ku sipas tij duhet të përqendrohet strategjia juridike në shkallën e dytë.

Këto përfshijnë kundërshtimin e konstatimeve faktike të aktgjykimit, analizën e përgjegjësisë individuale të të akuzuarve, vlerësimin e besueshmërisë së dëshmitarëve dhe shqyrtimin e pretendimeve për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të kontekstit historik dhe juridik të luftës në Kosovë, si dhe analizën e strukturës organizative dhe komanduese të UÇK-së.

Bajrami ka propozuar gjithashtu identifikimin e dëshmitarëve dhe provave shtesë që mund të pranohen në procedurën ankimore, duke theksuar se ankimi nuk do të thotë përsëritje automatike të gjykimit të shkallës së parë. “Qëllimi nuk është thjesht shtimi i numrit të dëshmitarëve.

Qëllimi është që çdo dëshmi dhe çdo provë të ketë rëndësi konkrete juridike”, ka shkruar ai.

Një tjetër propozim i tij është angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe organizatave të pavarura për monitorimin e respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë në Dhomat e Specializuara.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur respektimin e prezumimit të pafajësisë, barazinë e armëve ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, të drejtën për mbrojtje efektive dhe administrimin e paanshëm të provave.

Bajrami ka kërkuar që Kosova të analizojë përvojën e Kroacisë në procesin gjyqësor ndaj gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markaq në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Të dy ishin dënuar në shkallën e parë, por më 16 nëntor 2012, Dhoma e Apelit i liroi nga akuzat përkatëse dhe rrëzoi dënimet.

Sipas Bajramit, ky rast duhet të studiohet për mënyrën se si janë sfiduar konstatimet faktike, si janë vlerësuar provat dhe cilat argumente juridike kanë çuar në ndryshimin e vendimit në apel.

Bajrami ka propozuar që Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës të angazhohen në komunikimin me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe shtetet mike të Kosovës.

Sipas tij, përmes kontakteve diplomatike duhet të kërkohet mbështetje për monitorim të pavarur ndërkombëtar, transparencë më të madhe institucionale dhe ekspertizë juridike ndërkombëtare.

Ai ka theksuar se ky angazhim duhet të zhvillohet pa cenuar pavarësinë e gjykatës dhe pa krijuar presion politik mbi procesin gjyqësor.

Në përfundim, akademiku ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional, mobilizim të ekspertizës vendore dhe koordinim me ekipet e mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *