Sot në Prishtinë do të mbahet një protestë gjithëkombëtare për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila humbi jetën në Pejë.
Protesta fillon në orën 12:00 nga katedralja “Nënë Tereza”, ku organizatorët ftojnë qytetarët të bashkohen në kërkesën për përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente për të luftuar vrasjet e grave.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka theksuar se vrasja e Zekajt ka zbuluar dështimet e institucioneve që janë përgjegjëse për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Sipas Kolektivit, ky rast ka shkaktuar një krizë të thellë besimi në institucionet shtetërore, dhe kërkohet që femicidi të shpallet një urgjencë kombëtare. “Vrasja e saj dhe reagimi institucional e kanë futur shoqërinë tonë në një krizë dhe pasiguri shoqërore, e cila mund të tejkalohet vetëm me përgjegjësi shtetërore dhe me garantimin që jeta e grave merret seriozisht,” thuhet në thirrjen e Kolektivit.
Organizatorët po ashtu kërkojnë shkarkimin e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Gjithashtu, ata kërkojnë ndjekjen penale të zyrtarëve të prokurorisë, gjykatës, policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, që ata i konsiderojnë përgjegjës për mosveprimet në rastin e Zekajt.
Mes kërkesave është edhe trajtimi i vrasjeve të grave si urgjencë kombëtare, sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i pavarur dhe transparent në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit vetëmbrojtës për gratë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ku dyshohet se vrasësi është ish-kunati i saj.
Para vrasjes, ajo i është drejtuar institucioneve të drejtësisë për mbrojtje, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Pas rastit, disa zyrtarë policorë janë suspenduar, ndërsa organizatorët e protestës kërkojnë që përgjegjësia të shtrihet edhe te drejtuesit e institucioneve.
Protesta e sotme është një vazhdimësi e mobilizimeve qytetare që pasuan vrasjen e Zekajt, me kërkesën që institucionet të ofrojnë mbrojtje efektive për gratë dhe vajzat në Kosovë.