Raporti për Mjedisin në Kosovë për Vitin 2025: Progresi dhe Sfida

Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, i udhëhequr nga deputeti Arsim Ademi, po shqyrton raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025, ku ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi, ka paraqitur të dhënat.

Gjatë prezantimit, Pacolli-Dalipi theksoi se menaxhimi i mbeturinave komunale dhe mbikëqyrja e deponive ilegale është përgjegjësi e komunave, por Ministria ka ndarë një milion euro nga buxheti i vitit 2026 për eliminimin e tyre.

Ajo njoftoi se deri tani, në bashkëpunim me kompanitë rajonale, janë mbledhur mbi 8 mijë tonë mbeturina nga deponitë ilegale në territorin e Kosovës. “Përgjegjësia e drejtpërdrejtë për menaxhimin e mbeturinave komunale, përfshirë grumbullimin, transportimin, trajtimin, eliminimin dhe mbikëqyrjen e deponive ilegale, u takon komunave.

Ministria nuk ka kompetenca në menaxhimin dhe eliminimin e deponive ilegale, por pavarësisht kësaj, duke parë gjendjen e rëndë në terren, nga buxheti i vitit 2026 kemi ndarë një milion euro për eliminimin e tyre.

Deri tani kemi arritur të mbledhim mbi 8 mijë tonë mbeturina, në bashkëpunim me kompanitë rajonale”, ka thënë ajo.

Ministrja gjithashtu ka folur për planet infrastrukturore në menaxhimin e mbeturinave, duke përfshirë ndërtimin e një qendre moderne për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës dhe procedurat për mbylljen e deponisë së Mirashit.

Sa i përket Ligjit të ri për mbeturinat, Pacolli-Dalipi njoftoi se ai është në fazën finale dhe se janë duke u mbledhur komentet e fundit. “Ligji i ri për mbeturinat është në fazën finale dhe jemi duke i marrë komentet e fundit.

Në këtë ligj do të ketë trajtim ndryshe të mbeturinave dhe qasje të re ndaj komunave.

Po ashtu, do të integrohet skema e kthimit të depozitës dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit, në mënyrë që barrën e mbeturinave që krijohen t’ua bartim prodhuesve, atyre që i krijojnë mbeturinat”, ka deklaruar ajo.

Duke diskutuar për progresin e evidentuar në raportin për gjendjen e mjedisit, ministrja përmendi rritjen e trajtimit të ujërave të zeza nga një në 11 për qind, si dhe përmirësimet e para në lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë.

Ajo gjithashtu vlerësoi ndikimin e politikës për pagesën e qeseve plastike, duke thënë se kjo ka ndikuar në uljen e konsumit të tyre në Kosovë. “Progresi më i dukshëm mjedisor në Kosovë është shënuar me rritjen e trajtimit të ujërave të zeza, ku raporti evidenton se nga 1 për qind ka arritur në 11 për qind, ndërsa përmirësimet e para konkrete janë parë te lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë.

Po ashtu, është shënuar ulje e konsumit të qeseve plastike, që tregon se politika e vendosjes së pagesës për qeset plastike ka dhënë rezultat.

Për kokë banori, ne përdorim 55 qese në vit, ndërsa mesatarja në BE është 66.6”, ka thënë Pacolli-Dalipi.

Sipas saj, gjatë vitit 2025 është ruajtur cilësia e lartë e ujit të pijshëm, e cila arrin në 98.75 për qind, ndërsa në sektorin e ajrit nuk është regjistruar asnjë tejkalim i vlerave kufitare mesatare vjetore në krahasim me standardet e Bashkimit Evropian.

Pacolli-Dalipi gjithashtu përmendi përparimin në politikat klimatike, duke theksuar se objektivi i përcaktuar është ulja e gazrave serrë për 16.3 për qind deri në vitin 2030.

Ajo e përfundoi duke folur për sipërfaqet e mbrojtura natyrore, duke thënë se Kosova ka arritur në 11.56 për qind të territorit të mbrojtur, ndërsa objektivi i Bashkimit Evropian është 30 për qind. “Sa i përket mbrojtjes së natyrës, është marrë vendim për mbrojtjen e malit të Moknës dhe liqenit të Ujmanit.

Sipërfaqja e mbrojtur ka arritur në 11.56 për qind dhe kjo është evidentuar edhe në Raportin e Progresit, ku Kosova renditet e para në Ballkan sa i përket sipërfaqes së mbrojtur.

Kriteri i BE-së është 30 për qind. Është një rrugë e gjatë për të arritur deri aty, mirëpo me punë të përditshme dhe aktivitete besoj se mund t’ia dalim”, ka deklaruar ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *