Gjatë datës 11 nëntor, janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje në Prishtinë, Kamenicë dhe Gjakovë, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në mesin e këtyre rasteve, janë evidentuar dhuna psikike ndaj dy fëmijëve të mitur nga ish-bashkëshorti i nënës, sulmi ndaj një bashkëshorteje, si dhe keqtrajtimi i prindërve nga fëmijët e tyre.
Në Prishtinë, janë raportuar tri raste.
Në rastin e parë, Policia ka njoftuar se një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj, i dyshuar mashkull kosovar, i cili në vazhdimësi ka ushtruar presion psikik ndaj dy fëmijëve të tyre të mitur.
Nuk ka pasur të arrestuar në këtë rast, por hetimet vazhdojnë.
Rasti i dytë përfshin arrestimin e një burri nën akuzën për dhunë psikike ndaj bashkëshortes, duke e detyruar atë të largohet nga shtëpia.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në rastin e tretë në Prishtinë, një burrë dhe një grua dyshohen se janë sulmuar fizikisht nga djali i tyre i mitur, dhe gjithashtu në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar në Kamenicë, ku një burrë është arrestuar sepse, nën ndikimin e alkoolit, dyshohet se kishte ofenduar vajzën e tij.
Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Gjakovë, janë raportuar tri raste të tjera.
Në rastin e parë, pas një mosmarrëveshjeje, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pas intervistimit.
Në rastin e dytë, një grua ka raportuar se është keqtrajtuar nga djali i saj i mitur.
Sipas Policisë, ajo nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe, me dëshirën e saj, është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari është në arrati.
Rasti i tretë në Gjakovë është raportuar rreth orës 21:00, ku bashkëshortja dyshohet se është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.